Categories VENDI

Likova do të rikthejë në funksion Këshillin Rinor, pritet shpallja e thirrjes për anëtarët e rinj

Komuna e Likovës, me vendim të Këshillit Komunal, ka rifunksionalizuar Këshillin Rinor Lokal, i cili nuk ishte aktiv për një kohë të gjatë si pasojë e pasivizimit të disa organizatave joqeveritare, si dhe për shkak të ndikimit të pandemisë në Maqedoninë e Veriut. Nga administrata lokale thonë se kanë marrë këtë iniciativë për të shtuar aktivitetet e të rinjve në këtë komunë, shkruan Portalb.mk. 

Këshilli Rinor Lokal do të funksionojë në hapësirat e Qendrës Rinore në fshatin Mateç. Kjo qendër do të shërbejë si një pikë takimi për Këshillin Rinor Lokal, organizatat rinore dhe grupet joformale të të rinjve. Hapësira do të jetë e qasshme për organizimin e takimeve, trajnimeve, punëtorive edukative, debateve, aktiviteteve kulturore dhe artistike, fushatave ndërgjegjësuese, si dhe iniciativave të tjera që promovojnë aktivizmin, kreativitetin dhe pjesëshmarrjen e të rinjve në jetën shoqërore. Në këtë mënyrë, Qendra Rinore synon të krijojë një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë idetë, aftësitë dhe projektet e tyre, duke kontribuar për komunitetin dhe të gjitha kategoritë e banorëve.

Ish-anëtari i Bordit drejtues të Këshillit Rinor Lokal të Komunës së Likovës, Valon Mustafa, për Portalb.mk, tha se Komuna e Likovës si institucion i mbështet të rinjtë dhe është ndër komunat e pakta rurale në vend që ka Qendrën për të Rinjtë në Pallatin e Kulturës në Mateç. Ai shtoi se në hapësirat e kësaj qendre të rinjtë organizohen dhe takohen për të diskutuar rreth projekteve të ndryshme në Komunën e Likovës.

“Lajmi më i mirë i këtij viti për të rinjtë e Likovës është që Komuna e Likovës, e ka kaluar iniciativën në Këshillin Komunal për rifunksionalizimin e Këshillit Rinor Lokal të Komunës. Deri më tani ka pasur një shuarje të Këshillit Rinor Lokal, por nga tani e tutje, besoj që të rinjtë e Komunës do të organizohemi në mënyrën më të mirë për ta futur në funksion dhe për t’i shërbyer të rinjve dhe në të mirë të të gjithë Komunës”, tha Mustafa. 

Nga Komuna e Likovës, kanë bërë të ditur se pas miratimit të vendimi për formimin e Këshillit Rinor Lokal së shpejti pritet të publikohet dhe thirrja për anëtarësim në këtë këshill. Nga atje thanë se tani më gati në çdo fshat ka organizata të cilat janë të angazhuar në fusha të ndryshme për të kontribuar për të mirën e të rinjve dhe gjetiu.

Ende nuk kanlë caktuar buxhetin që do t’u ndahen organizatave që do të angazhohen me aktivitete për Këshillin rinor.

“Buxheti do të krijohet pasi të formohet këshilli, duke e pa angazhimin e të rinjve, strategjitë që do përgatisin, projektet e tyre, aplikimet e kështu me radhë. Këshillet rinore lokale nuk kanë buxhete të mëdha.”, deklaruan nga Komuna e Likovës.

Komuna e Likovës çdo fundvit ka thirrje për të gjithë të rinjtë dhe organizatat joqeveritare për të aplikuar me projektet e tyre.

“Shuma për OJQ-të është nga 60.000-120.000 denarë. Një nga shembujt e suksesshëm të kësaj iniciative është bashkëpunimi me Forumin Rinor Nikushtak me Komunën e Likovës ku u vendosën disa kontejnerë të bërllokut me qëllim që fshati të jetë më i pastër. Një rast tjetër i ngjashëm është te pishat në fshatin Sllupçan, ku kemi bërë një park në bashkëpunim me të rinjtë e këtij fshati”, deklaruan nga Komuna e Likovës.

I riu nga Komuna e Likovës, Bedri Isaki për Portalb.mk, tha se të rinjtë kanë nevojë më shumë për organizimin e aktiviteteve rinore, trajnimeve dhe seminareve, ku të rinjtë do të marrin pjesë për të pasur dialog dhe për të fituar aftësi të reja.  

“Nevoja më e rëndësishme në Komunën e Likovës për të rinjtë është krjimi i një biblioteke moderne me të gjitha kushtet, ku nxënësit dhe studentët do të kenë mundësi të mësojnë dhe studiojnë dhe të huazojnë libra. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për të rinjtë e Komunës tonë”, tha Isaku.

Sipas tij, Komuna e Likovës, ka nevojë edhe për më shumë organizata joqeveritare, ku të rinjtë do të organizohesh për plotësimin e nevojave të tyre dhe dërgimin e kërkesave të tyre në adresën e duhur.  

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *