Categories VENDI

Maqedonia do të ketë qendrën e parë të inteligjencës artificiale “Vezilka”

Maqedonia javën e ardhshme do të lançojë qendrën e saj të parë të inteligjencës artificiale të quajtur “Vezilka”. Kjo u njoftua nga Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Top Tema” në TV Telma, ku ai prezantoi hapat që vendi po ndërmerr në fushën e teknologjisë së përparuar dhe digjitalizimit, transmeton Portalb.mk.

Projekti “Vezilka” synon digjitalizimin e plotë të korpusit të gjuhës maqedonase. Siç shpjegoi Ministri Andonovski, qëllimi kryesor është të zvogëlojë varësinë nga mjetet teknologjike të huaja, të cilat aktualisht shpesh nuk e njohin kontekstin specifik gjuhësor, historik dhe kulturor të Maqedonisë me saktësi të mjaftueshme.

“Ky projekt hedh themelet për krijimin e zgjidhjeve vendase bazuar në inteligjencën artificiale, të cilat do t’i shërbejnë interesit publik, arsimit, shkencës, energjisë, ekonomisë dhe transformimit të përgjithshëm digjital të vendit”, tha Andonovski.

Projekti drejtohet nga FSHIIK, i cili tashmë ka vendosur bashkëpunim me institucione shtetërore dhe shkencore për nevojat e “Vezilkës” me qëllim që të sigurojë një bazë të dhënash me cilësi të lartë dhe të saktë, duke përfshirë akte ligjore dhe nënligjore, literaturë profesionale dhe përmbajtje të tjera relevante në gjuhën maqedonase. Është vendosur bashkëpunim me Parlamentin, “Gazetën Zyrtare”, ASHAM, Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, si dhe institutet për gjuhën dhe letërsinë maqedonase.

Andonovski tha se qytetarët do të jenë gjithashtu në gjendje të kontribuojnë në projekt duke ngarkuar literaturën e tyre të digjitalizuar, tezat e masterit, doktoraturës dhe profesionale.

Projekti, vlera totale e të cilit është rreth gjashtë milionë euro, po zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe FINKI, e cila është udhëheqëse e projektit.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *