
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj propozimeve të fundit ligjore që rregullojnë veprimtarinë e lojërave të fatit, duke akuzuar pushtetin se ka braktisur premtimin për mbylljen e bixhozit dhe po përpiqet ta paraqesë si reformë një zgjidhje që, sipas tij, në thelb e legalizon dhe e zgjeron më tej këtë industri.
Në një reagim publik, Taravari theksoi se qytetarëve u ishte premtuar mbyllja e plotë e objekteve të bixhozit, ndërsa tani po ofrohet një model që vetëm ndryshon disa rregulla teknike, pa e adresuar problemin në thelb.
Reagimi i plotë i Arben Taravarit:
Premtuan mbyllje të plotë të bixhozit, dhe nuk e realizuan. Sot po përpiqen ta shesin si “reformë” një ligj që parashikon vetëm 500 metra largësi nga shkollat, madje me zbatim të shtyrë deri në vitin 2028.
Akoma më skandaloze, ky kufizim nuk vlen fare për bastoret. Pra, bastoret vazhdojnë të mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë; pranë lagjeve, pranë fëmijëve dhe në rrugët ku kalojnë nxënësit çdo ditë për në shkollë.
Ndërkohë, bixhozi online jo vetëm që nuk mbyllet, por legalizohet dhe menaxhohet nga vetë shteti. Kjo nënkupton bixhoz në çdo celular dhe në çdo shtëpi, pa asnjë kontroll reale dhe pa asnjë mbrojtje serioze për të rinjtë.
Nga “lufta kundër bixhozit”, pushteti ka kaluar në administrim shtetëror të bixhozit.
Kjo nuk është reformë. Kjo është mashtrim ndaj qytetarëve dhe tradhti ndaj premtimeve të dhëna.
Postimi i plotë: https://www.facebook.com/share/p/1ErSL7PNM6/?mibextid=wwXIfr








