
Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare pasi publikoi në rrjetet sociale një hartë të Venezuelës të shoqëruar me flamurin e SHBA-së dhe mbishkrimin “Shteti i 51-të”.
Postimi u publikua teksa Trump po udhëtonte drejt Kinës për një samit të rëndësishëm, duke rikthyer në vëmendje deklaratat e tij të mëparshme për mundësinë e një statusi të veçantë të Venezuelës brenda Shteteve të Bashkuara.
Lëvizja e tij vjen vetëm një ditë pasi presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se vendi i saj nuk ka shqyrtuar kurrë mundësinë për t’u bërë pjesë e SHBA-së, duke theksuar qartë sovranitetin e shtetit latino-amerikan.
Sipas raportimeve, Trump kishte deklaruar më herët për mediat amerikane se po shqyrtohej ideja e integrimit të Venezuelës si shtet federal i SHBA-së, duke e lidhur këtë edhe me rëndësinë strategjike dhe ekonomike të vendit, i cili zotëron rezerva të mëdha nafte.








