Categories VENDI

Venera Azizi me mesazh të fortë për Kumanovën: “Kërko atë që të takon, na kërko llogari!”

Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka falënderuar qytetarët e Kumanovës për festën e organizuar me rastin e 28 Nëntorit, duke u bërë thirrje njëkohësisht që të kërkojnë më shumë angazhim dhe llogaridhënie nga institucionet.

Azizi, përmes një postimi në Facebook, tha se Kumanova duhet të kërkojë atë që i takon dhe të kërkojë nga institucionet të jenë pranë qytetarëve gjatë gjithë vitit.

“Na kërko llogari për çdo zotim dhe punë konkrete për çdo lagje e çdo fshat. Këtë ta kemi borxh Kumanovë!”, shkroi Azizi.

Ajo kritikoi qasjen e politikanëve gjatë më shumë se dy dekadave të fundit, duke thënë se Kumanova është kujtuar kryesisht në periudha zgjedhore.

“Sepse më shumë se 20 vjet, ata që kërkonin besimin e kumanovarëve e kujtonin Kumanovën sa herë u duhej vota dhe asnjë ditë më shumë”, u shpreh Azizi.

Në postimin e saj, ajo falënderoi bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, ministrat, zëvendësministrat, deputetët dhe funksionarët që morën pjesë në manifestimin qendror, si dhe Këshillin organizativ dhe aktivistët që kontribuuan në organizimin e festës.

Azizi iu drejtua edhe artistëve të Kumanovës dhe atyre me origjinë nga ky qytet, duke i ftuar të angazhohen më shumë në jetën kulturore.

“Ejani të bëhemi bashkë! Sillini në Kumanovë më të mirën nga ju dhe mbështetjen e pakusht do ta keni nga ne”, tha ajo, duke kërkuar që të mbështeten edhe talentet e reja.

Në fund, Azizi tha se synimi duhet të jetë që Kumanovës t’i rikthehet vendi që, sipas saj, i takon, në mënyrë që edhe gjeneratat e reja të rriten me krenarinë për qytetin./ora24.tv/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *