
Pas vrasjes së rëndë të 56-vjeçares Milena Vitanova në qytetin italian Piacenza, opinionin publik e ka tronditur edhe rrëfimi emocional i avokates Katerina Koteska-Stisniovska, e cila prej vitesh merret me raste të dhunës në familje.
Avokatja zbuloi se Milena kishte kërkuar ndihmë prej saj para tragjedisë, por nuk arriti kurrë ta bëjë hapin e fundit për t’u larguar dhe për të shpëtuar.
Në reagimin e saj prekës, Koteska-Stisniovska thotë se viktima i shkruante mesazhe dhe më pas i fshinte ato, duke pasur frikë nga pasojat. Sipas saj, komunikimi i fundit mes tyre ka qenë më 5 tetor 2025, kur Milena i kishte shkruar se do ta kontaktonte “në rastin e parë të mundshëm”. Ajo mundësi, fatkeqësisht, nuk erdhi kurrë.
“Zemra m’u thye…”, shkruan avokatja, duke pyetur pse Milena nuk vendosi të largohej dhe të shpëtonte. Sipas saj, viktima ishte e shkatërruar emocionalisht pas humbjes së djalit të saj, i cili kishte humbur jetën në një aksident trafiku, gjë që, sipas avokates, e kishte bërë të humbte vullnetin për të luftuar.
Ajo u dërgoi mesazh të fortë të gjitha grave viktima të dhunës, duke apeluar që të mos heshtin dhe të kërkojnë ndihmë me kohë.
“Jeta është një dhe fëmijët që rriten në dhunë mbajnë trauma që lënë pasoja për gjithë jetën. Nuk ka asnjë arsyetim për dhunën në familje”, ka deklaruar avokatja, duke bërë thirrje për më shumë guxim nga viktimat dhe mbështetje më të madhe nga shoqëria.
Tragjedia ndodhi në një banesë në periferi të Piacenzës, ku Milena jetonte me bashkëshortin Hako Vitanov dhe fëmijët e tyre. Sipas mediave italiane, Vitanov – vëllai i ish-konsullit maqedonas në Itali, Stojan Vitanov – pas vrasjes kishte telefonuar vetë shërbimet emergjente.
“Ejani, e vrava gruan time”, u kishte thënë operatorëve.
Karabinierët më vonë e gjetën pranë varrezave të qytetit, ku dyshohet se kishte tentuar t’i japë fund jetës së tij. Hetimet për motivet dhe rrethanat e krimit janë ende në vazhdim, ndërsa sipas informacioneve paraprake, vrasja është kryer me thikë dhe dyshohet të ketë ardhur pas konflikteve të gjata familjare.
Rasti ka rikthyer edhe një herë debatin për dhunën në familje dhe nevojën që viktimat të marrin mbrojtje, mbështetje dhe inkurajim në kohë, para se të jetë tepër vonë.








