Categories VENDI

Një maqedonase që e dashuron shqipen: gjuha si urë, jo si pengesë

Në një shoqëri multietnike si Maqedonia e Veriut, mësimi i gjuhës së “tjetrit” mbetet një nga rrugët më të sigurta drejt mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Sanja Kamberska Pejoviç, e diplomuar në gjuhën shqipe dhe përkthyese e autorizuar, ndan përvojën e saj mbi rëndësinë e gjuhëve si pasuri personale dhe shoqërore.Në intervistën për agjencinë e lajmeve INA, ajo thotë se, e adhuron gjuhën shqipe.

INA: Çfarë ju motivoi fillimisht ta mësoni gjuhën shqipe dhe si ka ndryshuar perceptimi juaj për kulturën shqiptare gjatë këtij procesi?

Motivimi im fillestar ishte praktik – komunikimi me njerëzit e përditshmërisë, kolegët, miqtë dhe një kuptim më i mirë i mjedisit ku jetoj. Me kalimin e kohës, mësimi i gjuhës nuk ishte më vetëm një aftësi teknike, por një dritare drejt kulturës. Fillova ta përjetoj kulturën shqiptare më afër, të kuptoj vlerat, traditat dhe mënyrën e të menduarit, gjë që e zvogëloi ndjeshëm distancën dhe stereotipet.

INA: Në përvojën tuaj, si ndikon mësimi i një gjuhe tjetër në ndërtimin e urave mes komuniteteve në një shoqëri multietnike si Maqedonia e Veriut?

Mësimi i një gjuhe tjetër kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e besimit dhe respektit. Kur flet në gjuhën e dikujt tjetër, tregon hapje dhe dëshirë për lidhje. Kjo i zvogëlon keqkuptimet dhe krijon hapësirë për komunikim të sinqertë. Në një shoqëri multietnike si e jona, kjo është një nga mënyrat më të fuqishme për ndërtimin e urave dhe bashkëjetesës.

INA: A mendoni se njohja e gjuhëve të ndryshme është një pasuri personale apo edhe një domosdoshmëri shoqërore në kohën e sotme? Pse?

Të dyja. Si vlerë personale, gjuhët e pasurojnë individin – zhvillojnë empatinë, mendimin kritik dhe vetëdijen kulturore. Por në kohën e sotme, veçanërisht në shoqëri multikulturore, kjo bëhet edhe një domosdoshmëri shoqërore. Gjuhët janë mjet për integrim, bashkëpunim dhe përparim.

INA: A keni hasur në paragjykime për shkak të zgjedhjes suaj për të studiuar gjuhën shqipe?

Personalisht nuk kam pasur dhe ende nuk kam paragjykime. Megjithatë, shumica e atyre që e studionin gjuhën e bënin vetëm për të pasur njohuri bazë – po flas për maqedonasit – pa e parë si një perspektivë afatgjatë. Nuk shihej si një mundësi për të ardhmen.

INA: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që hezitojnë të mësojnë gjuhën e “tjetrit”, sidomos në kontekste ku ekzistojnë paragjykime kulturore?

Mos e shihni gjuhën si pengesë, por si mundësi. Me çdo gjuhë të re fitoni një këndvështrim të ri mbi botën. Paragjykimet më së shpeshti vijnë nga mosnjohja – dhe gjuha është çelësi që i hap ato dyer. Mësoni nga kureshtja, jo nga detyrimi, dhe do të kuptoni se dallimet nuk na ndajnë, por na pasurojnë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *