Categories VENDI

Në Kumanovë dhe Likovë u mbajt edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar „Ballkan Fest“

Në organizim të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova, u realizua edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar “Ballkan Fest”, i cili për dy net radhazi solli në skenë tradita, këngë dhe valle nga vende të ndryshme të rajonit, raporton tvfesta.mk.

Aktiviteti nisi me parakalimin e ansambleve dhe shoqërive kulturore-artistike nëpër rrugët e Kumanovës. Pjesëmarrësit, të veshur me kostume tradicionale, prezantuan kulturën dhe identitetin e vendeve nga vinin, duke i dhënë qytetit një atmosferë festive.

Programi artistik u zhvillua gjatë dy mbrëmjeve. Nata e parë u mbajt në Kumanovë, ndërsa përmbyllja e festivalit u organizua në Shtëpinë e Kulturës në Mateç, në Komunën e Likovës.

Në këtë edicion morën pjesë ansamble dhe shoqëri kulturore-artistike nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Kosova dhe Lugina e Preshevës. Përmes interpretimeve të tyre, pjesëmarrësit sollën para publikut larminë e traditave dhe trashëgimisë kulturore të popujve të Ballkanit.

“Ballkan Fest” vazhdon të jetë një ngjarje e rëndësishme për promovimin e folklorit dhe ruajtjen e traditave, duke krijuar njëkohësisht mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim ndërmjet ansambleve nga vende të ndryshme.

Realizimi i festivalit u mbështet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Likovës, me kontribut edhe nga afaristë të Kumanovës.

Televizioni Festa, në bashkëpunim me “Ideal Films”, ka përcjellë drejtpërdrejt për dy net me radhë edicionin e gjashtë të festivalit ndërkombëtar “Ballkan Fest”, duke ua sjellë shikuesve nga afër këtë ngjarje kulturore.

Në përfundim të festivalit u ndanë çmimet për pjesëmarrësit dhe grupet që u vlerësuan për paraqitjet e tyre artistike:

  • Valltarja më e mirë: Melek – AKV “Nakem”, Turqi
  • Valltari më i mirë: Besir Ibrahimi
  • Dyshja më e mirë e valltarëve: Behije Hyseni – Altin Saliu
  • Valltarët më të mirë: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
  • Koreografia më e mirë: “Nakem” – Turqi
  • Këngëtarja më e mirë: Kori “Nexhmije Pagarusha” – Kosovë
  • Këngëtari më i mirë: Rilind Krasniqi
  • Instrumentisti më i mirë: Skender Halimi
  • Orkestra më e mirë: SHKA “Presheva” – Preshevë
  • Kostumet më të mira: AKV “SRMA” – Kumanovë
  • Çmimi i tretë: AKV “Blagaj” – Bosnjë dhe Hercegovinë
  • Çmimi i dytë: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë
  • Çmimi i parë: AKV “Nakem” – Bursa, Turqi
  • Çmimi special i festivalit: AKV “Ilirida” – Shtime

Edicioni i gjashtë i “Ballkan Fest” u përmbyll me prezantimin e fituesve dhe me një program që vuri në pah rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe afrimit të komuniteteve përmes këngës, vallëzimit dhe traditës.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *