Categories VENDI

Ngecje në proces, nuk dihet nëse objekti i ri i gjimnazit “Sami Frashëri” do të hapet në shtator

Prej më shumë se një dekade, Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Komuna e Kumanovës, vazhdojnë të premtojnë ndërtimin e objektit të ri për gjimnazin “Sami Frashëri” Kumanovë dhe paraleleve në gjuhën shqipe të shkollës së mesme profesionale “Nace Bugjoni”. Problemi i radhës në zvarritjen e punimeve qëndron në faktin se parcela ku po ndërtohet objekti vazhdon të jetë në pronësi të Qeverisë dhe ende nuk është bartur në pronësi të shkollës. Kjo çështje si një ndër pengesat kryesore, përfshin edhe pamundësinë për lidhje në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit dhe energjisë elektrike. Përderisa nxënësit po presin ndërtimin e objektit të ri, ata vazhdojnë të ndjekin procesin edukativo-arsimor në kushte të vështira, shkruan Portalb.mk.

Objekti i ri që duhet të shërbejë edhe për gjimnazistët si dhe për nxënësit e shkollës profesionale ende nuk e ka pronësinë e duhur, andaj procesi po çalon. Duke u bazuar në këtë dinamikë të zhvillimit të punimeve ekziston rreziku që edhe këtë shtator procesi mësimor të mos fillojë në objektin e ri.

Ndërkaq, në objektin aktual mungojnë kushtet elementare për zhvillimin normal të mësimit, duke filluar nga kabinetet për lëndët specifike deri te mungesa e një salle sportive. Si pasojë, nxënësit përballen me vështirësi serioze në ndjekjen e një procesi cilësor dhe dinjitoz edukativo-arsimor.

Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë, Nagri Rexhepi, konfirmoi për Portalb.mk se kanë mbetur çështjet teknike të dokumentacioneve për të kaluar objekti në pronësinë të shkollës.

“Pastaj na mbetet neve të lidhemi në rrjetin për ujë dhe rrymë dhe të përfundojmë çështjet tjera teknike. Sipas parashikimeve është paraparë të përfundojë në shtator, por kjo nuk varet vetëm prej nesh. Dëshira jonë është që sa më shpejt të përfundojë ndërtimi i objektit dhe nxënësit të dalin në shkollën e re dhe të mësojnë me të gjitha kushtet e nevojshme”, u shpreh Rexhepi.

Kurse Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, për Portalb.mk thotë se punimet për ndërtimin e objektit të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe paraleleve në gjuhën shqipe të shkollës së mesme profesionale “Nace Bugjoni” vazhdojnë, duke mos konkretizuar a do të jetë gati deri në fillimin e vitit të ri shkollor.

“Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vazhdimësi ka mbështetur financiarisht zhvillimin e punimeve dhe deri tash mund të themi se projekti është realizuar mbi 70 përqind. Sipas parashikimeve, përpjekjet tona janë që punimet të përmbyllen deri në fund të muajit shtator, eventualisht deri në fund të këtij viti”, tha zëvendësministri Sulejmani.

Nga ana tjetër, këshilltari i Komunës së Kumanovës nga radhët e BDI-së, Blerim Hyseni, për Portalb.mk tha se sipas premtimeve të koalicionit ZNAM dhe VLEN në Kumanovë, gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë duhet të hapet në fillim të vitit shkollor 2026–2027.

Megjithatë, siç tha ai, nuk besojmë se kjo do të ndodhë, pasi kryetari aktual i Kumanovës nuk merret fare me këtë çështje, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it në Kumanovë nuk tregojnë interes për të ushtruar presion që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

“Fatkeqësisht, në buxhetin për këtë vit nuk janë paraparë mjete për këtë gjimnaz, gjë që lë të kuptohet se ky koalicion po bën kalkulime politike në kurriz të nxënësve. Sipas asaj që na është thënë, punimet janë duke vazhduar, por pa detaje konkrete se deri ku kanë arritur dhe sa kohë do të zgjasin”, u shpreh Hyseni.

Objekti i ri i shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Objekti i ri i shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Premtime dhe zvarritje e projektit ndër vite
Në vitin 2019, nxënësit e shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” kërkuan zgjidhje pasi ndiqnin mësimin në objekte të papërshtatshme. Atë kohë nga Ministria e Arsimit, dhe Shkencës për Portalb.mk thanë se janë duke u kryer procedurat administrative të projektit.

Në vitin 2021 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në lidhje me projektin e ndërtimit të objektit të ri të shkollës fajin ia hodhi MASH-it, ai tha se që nga viti 2018 kanë dërguar kërkesë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe ua kanë treguar hallin. Po ashtu në vitin 2020, e kishin dërguar sërish të njëjtën kërkesë, por pa marrë përgjigje.

Në vitin 2022, Qeveria e RMV-së solli vendim për shkollën e mesme të gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë që të ketë objekt të ri shkollor.

Më 27 maj të vitit 2023, filluan punimet për ndërtimin e ri të objektit të gjimnazit, të cilat ende nuk kanë mbaruar.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *