
Etem Xheladini
Për më shumë se tri dekada e gjysëm pluralizëm politik në Maqedoninë e Veriut, subjektet politike shqiptare që kanë qenë pjesë e qeverive të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, kanë dështuar historikisht në misionin e tyre themelor, mbrojtjen e interesit kolektiv shqiptar. Ky dështim nuk është më çështje paaftësie politike, por zgjedhje e vetëdijshme për t’u rreshtuar në anën e pushtetit dhe jo të popullit që i ka votuar.
Në vend që të jenë faktor politik, ato janë shndërruar në mekanizma funksionalë të pushteteve maqedonase, duke legjitimuar politika diskriminuese në këmbim të posteve, privilegjeve personale dhe pazareve klienteliste. Ky është realiteti i hidhur i politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Legjislacioni i miratuar ndër vite nuk ka pasur për qëllim ndërtimin e një shteti të së drejtës apo garantimin e barazisë qytetare. Përkundrazi, ai ka prodhuar një sistem selektiv kontrolli dhe ndëshkimi, ku shqiptarët trajtohen si objekt administrimi dhe jo si qytetarë të barabartë. Ligji i ashtuquajtur për “Qytetin e Sigurt” është ilustrimi më i qartë i kësaj logjike represive të paketuar me gjuhë teknokratike.
Nëse siguria do të ishte qëllimi real, kamerat do të shpërndaheshin proporcionalisht në të gjithë territorin e shtetit. Por faktet flasin ndryshe. Në Çair, komunë me shumicë shqiptare, janë instaluar mbi 30 kamera brenda një distance prej rreth 500 metrash. Ndërkohë, në Komunën e Aerodromit, simbol i urbanizimit dhe privilegjit institucional, nuk është vendosur asnjë kamerë, as në distanca prej disa kilometrash.
Kjo nuk është rastësi. Kjo është politikë. Politikë selektive, politikë kontrolli etnik politik zhvatjeje.
Pyetja që shtrohet është thelbësore a konsiderohen shqiptarët qytetarë me të drejta të barabarta, apo subjekt i dyshimtë që duhet mbikëqyrur, ndëshkuar dhe gjobitur?
A janë shqiptarët problem sigurie, apo thjesht viktima të një shteti që i trajton si të tepërt?
Paradoksi bëhet edhe më i rëndë kur shihet se siguria reale e qytetarëve shqiptarë injorohet sistematikisht.
Në shumë vendbanime shqiptare mungojnë elementët bazë të infrastrukturës urbane: trotuare, vijëzime rrugore, sinjalistikë funksionale, hapësira për këmbësorë dhe fëmijë. Qytetarët ecin në rrugë automobilistike jo nga zgjedhja, por nga mungesa e alternativës. Kjo është rrezik permanent për jetën e tyre, kjo është pasiguri strukturore.
E megjithatë, subjektet politike shqiptare heshtin. Heshtja e tyre nuk është neutrale, është bashkëfajësi.
As në pushtet e as në opozitë ato nuk artikulojnë kërkesa serioze për barazi, nuk kërkojnë investime proporcionale, nuk kushtëzojnë pjesëmarrjen në qeveri me standarde evropiane. Ato janë reduktuar në rol dekorativ, duke legjitimuar çdo vendim që vjen nga qendra e pushtetit.
Me ardhjen në pushtet të kryeministrit Mickoski, kjo filozofi përjashtuese është bërë edhe më e hapur. Slogani “Shtetin do t’ua kthejmë maqedonasve” nuk ishte lapsus elektoral, por paralajmërim politik.
Sot, ai po konkretizohet përmes shfuqizimit të Balancuesit, degradimit të Ligjit për gjuhën shqipe, relativizimit të simboleve dhe politikave që rëndojnë drejtpërdrejt mbi shqiptarët, institucionalisht, financiarisht dhe simbolikisht.
Ashtu si më parë, edhe kjo qeveri e VMRO-së nuk e ka prioritet jetën, sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Prioriteti është kontrolli, ndëshkimi dhe zhvatja. Skandali më i madh nuk është kjo politikë, por fakti që ajo zbatohet me miratimin ose heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë.
Në këtë kontekst, largimi masiv i të rinjve shqiptarë nuk është fenomen social spontan, por rezultat politik i drejtpërdrejtë. Të rinjtë po largohen sepse nuk shohin perspektivë, drejtësi dhe dinjitet. Vendin e shpresës e ka zënë nepotizmi, klanizmi dhe një elitë partiake që funksionon si zgjatim i pushtetit të korruptuar.
Dikur, politikanët shqiptarë flisnin për “duar të pastra” dhe “ndryshim”. Sot, këto slogane janë zhdukur, sepse realiteti i ka demaskuar. Popullata shqiptare e di tashmë se përfshirja në pushtet për shumë prej tyre ka qenë rrugë drejt korrupsionit, aferave dhe tradhtisë së interesit publik.
Prandaj pyetja nuk është më retorike, por ekzistenciale:
Deri kur subjektet politike shqiptare do të pranojnë të jenë vegla të projekteve anti- shqiptare, deri kur do të heshtin përballë diskriminimit, deri kur do ta shesin interesin kolektiv për përfitime personale, deri kur do ta tradhtojnë besimin e qytetarëve shqiptarë?








