
Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet së shpejti të marrë pamjen e tij përfundimtare, ndërsa punimet në objekt janë tashmë në fazën e fundit.
Sot, punimet janë vizituar nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, i shoqëruar nga përfaqësues të Qeverisë së VLEN-it dhe institucioneve të tjera.
Gjatë vizitës, Sulejmani bëri të ditur se në objektin e ri nuk do të zhvillojnë mësimin vetëm nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, por edhe paralelet në gjuhën shqipe të shkollës së mesme teknike “Nace Buçoni”.
Sipas tij, pjesa kryesore e punimeve të përcaktuara me kontratë pritet të përfundojë deri në nëntor. Ndërkohë, për zgjidhjen e sistemit të ngrohjes do të sigurohen mjete shtesë përmes një aneksi të kontratës.
“Punimet janë pothuajse në përfundim. Për ngrohjen e shkollës do të bëjmë një aneks-marrëveshje për sigurimin e mjeteve të nevojshme”, deklaroi Sulejmani.
Ai shtoi se për sistemin e pompave të ujit do të zhvillohet edhe një procedurë e veçantë e prokurimit publik, pasi ky sistem do të jetë pjesë e zgjidhjes për ngrohjen e objektit.
Zëvendësministri e cilësoi përfundimin e shkollës si një hap të rëndësishëm për arsimin në Kumanovë, veçanërisht pas pritjes më shumë se dy dekada.
“Jemi shumë të kënaqur me atë që pamë sot. Pas më shumë se 20 vitesh pritje, nxënësit e Kumanovës së shpejti do të kenë mundësi të mësojnë në kushte moderne”, tha Sulejmani.
Megjithatë, sipas tij, për kompletimin e plotë të objektit, përfshirë pajisjet dhe sistemet përcjellëse, mund të nevojitet kohë deri në qershor. Synimi është që pas përfundimit të të gjitha punimeve, nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në objektin e ri të gjimnazit.








