
Gjykata Supreme ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkupit për aksidentin e autobusit në Laskarcë, me të cilin ishin rritur dënimet për disa nga të dënuarit në krahasim me vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Penale.
Lënda është kthyer për rigjykim dhe vendimmarrje.
Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, Këshilli për Vepra Penale vendosi për këtë lëndë në seancën e djeshme dhe mori vendim me të cilin pranohen kërkesat e paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës.
„Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkupit i 17 prillit 2025 revokohet dhe lënda kthehet për rigjykim dhe vendimmarrje“, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit e Shkupit rriti dënimet me burg për disa nga të dënuarit për aksidentin e autobusit në Laskarcë, të cilat Gjykata Penale ua kishte shqiptuar me vendimin e shkallës së parë.
Në mesin e të pandehurve që morën dënim më të lartë ishte Durmish Beluli, pronari i kompanisë „Durmo Tours“, autobusi i së cilës doli nga rruga. Dënimi me katër vjet burg, të cilin Gjykata Penale ia kishte shqiptuar Belulit, u rrit nga Gjykata e Apelit në 10 vjet.
Menaxherit të transportit të kompanisë, Remzi Miftari, i cili më parë ishte dënuar me gjashtë vjet burg, Gjykata e Apelit ia rriti dënimin në 10 vjet burg.
Dy punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, u dënuan me nga shtatë vjet burg, në vend të dënimeve prej nga pesë vjetësh të shqiptuara në shkallën e parë.
Dënimet për punonjësin e tretë të stacionit të kontrollit teknik, Jane Bovarovski, dhe për shoferin e autobusit, Manoil Trifunovski, mbetën të pandryshuara – përkatësisht pesë dhe 14 vjet burg.
Me vendimin e shkallës së parë, të shpallur në janar të vitit 2024, të pandehurit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg.
Aksidenti me autobus ndodhi më 13 shkurt 2019, kur një autobus i kompanisë „Durmo Tours“, i cili qarkullonte në linjën e rregullt Shkup–Gostivar, doli nga autostrada pranë fshatit Laskarcë. Si pasojë e aksidentit humbën jetën 16 pasagjerë, ndërsa 38 të tjerë u plagosën.
Gjyqi filloi po atë vit. Në bankën e të akuzuarve u ulën pronari i „Durmo Tours“, Durmish Beluli, menaxheri i kompanisë, shoferi i autobusit dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik ku ishte kontrolluar autobusi, stacion ky gjithashtu në pronësi të Belulit.








