Categories KURIOZITETE

Skandal në Kroaci – çmimi për oborrin më të bukur përfundoi te kryetari i komunës

Në Dugo Sello në Kroaci, dje u ndanë çmimet për oborrin dhe ballkonin më të bukur, ndërsa mes fituesve u gjet edhe një emër i njohur – kryetari i komunës, Nenad Panian.

Oborri i tij fitoi vendin e dytë, ndërsa si shpërblim ai mori një kositëse bari, transmeton “Dugosellska kronika”, përcjell PressOnline.al.

E gjithë situata u bë edhe më interesante për faktin se Panian, si kryetar komune, njëkohësisht është edhe kryetar i këshillit të Bashkësisë Turistike të Dugo Sellos, e cila e organizoi konkursin. Çmimin ia dorëzoi drejtoresha e Bashkësisë Turistike, Karmela Vukov-Çoliq, ndërsa fituesit të buzëqeshur pozuan para fotografëve.

Qëllimi ishte të nxiten qytetarët

Qëllimi zyrtar i konkursit, i cili zgjati deri në fund të majit, ishte të nxiten qytetarët që t’i rregullojnë oborret, kopshtet dhe ballkonet e tyre, duke kontribuar kështu për një pamje më të bukur të qytetit.

Vendin e parë për oborrin më të bukur e fitoi Mile Franjiq, i cili deklaroi se merita për çmimin i takon të gjithë familjes. Vendi i tretë i takoi Lana Vranjiqit, ndërsa çmimet për ballkonet më të bukura i fituan Karla Baniq dhe Ivana Lenardiq.

Për fituesit nuk ka vendosur Bashkësia Turistike

Pas publikimit të tekstit, drejtoresha e Bashkësisë Turistike të Dugo Selos, Karmela Vukov-Çoliq, ka dërguar një reagim në të cilin i hedh poshtë pretendimet se kryetari i komunës “ia ka ndarë vetes çmimin”.

Ajo ka theksuar se konkursi për oborrin më të bukur ka qenë i hapur për të gjithë qytetarët e Dugo Sellos në kushte të barabarta dhe se është organizuar nga Bashkësia Turistike e qytetit Dugo Selo.

Megjithatë, sipas saj, për fituesit e çmimeve nuk kanë vendosur organet dhe as të punësuarit e Bashkësisë Turistike, por një komision i pavarur i përbërë nga katër anëtarë, të cilët nuk janë të lidhur me Bashkësinë Turistike dhe nuk marrin pjesë në punën e saj.

Komisioni, siç thuhet, vendimin e ka marrë ekskluzivisht në bazë të fotografive të dërguara në konkurs. Të gjitha aplikimet janë vlerësuar me shifra, pa të dhëna për identitetin e aplikuesve dhe pa të dhëna për lokacionin e oborrit.

Anëtarët e komisionit, gjatë vlerësimit, sipas reagimit, nuk kanë pasur njohuri se kujt i përkisnin oborret që shiheshin në fotografi.

Për këtë arsye, nga Bashkësia Turistike pretendojnë se shkrimet e publikuara në media janë plotësisht të pabaza.

Në reagim shtohet se rezultatet e konkursit janë përcaktuar me procesverbal nga një komision i pavarur dhe janë zbatuar sipas rregullave të përcaktuara paraprakisht, në mënyrë që të sigurohej paanshmëria e jurisë dhe anonimati i të gjithë pjesëmarrësve.

Vukov-Çoliq ka theksuar gjithashtu se, nëse para publikimit do të ishte kërkuar një prononcim, lehtësisht do të mund të vërtetohej se për fituesit nuk ka vendosur Bashkësia Turistike dhe as kryetari i komunës, por një komision i pavarur, në mënyrë anonime dhe me shifra. Ajo ka shtuar se kryetari i komunës menjëherë ka paralajmëruar se çmimin e fituar do ta dhurojë.

“Index” i ka dërguar pyetje edhe kryetarit të komunës Panian, duke e pyetur nëse, si kryetar i Bashkësisë Turistike, duhej të merrte pjesë në konkurs dhe si i komenton rezultatet. Përgjigjet do të publikohen kur të pranohen.

Dyshime për keqpërdorime me pjata

Në fillim të këtij viti u publikua edhe se DORH po kryen kontrolle në Bashkësinë Turistike të Dugo Sellos, pasi ishte pranuar një kallëzim për dyshime për keqpërdorime dhe përvetësim, shkruante “Jutarnji list”.

Në kallëzimin drejtuar DORH-it paralajmëroheshin parregullsi të dyshuara në punën e Bashkësisë Turistike dhe drejtoreshës Karmela Vukov-Çoliq, veçanërisht lidhur me organizimin e manifestimit “Ushqimet e vjetra të Dugo Sellos” gjatë vitit 2024.

Në kallëzim thuhet se shitja e biletave është paraqitur si donacion, me çka, sipas denoncuesit, janë shkelur rregullat tatimore.

Qytetarët, për një “donacion” prej 10 eurosh, merrnin një pjatë të emaluar, kuponë për degustim dhe pajisje për ushqim. Sipas kallëzimit, Bashkësia Turistike kishte porositur 3.550 pjata, që do të nënkuptonte të ardhura prej 35.500 eurosh nëse të gjitha do të ishin shitur. Por në raportin financiar të Bashkësisë Turistike ishte evidentuar e ardhur nga donacionet në vlerë prej 19.852 eurosh, prandaj denoncuesi ka ngritur pyetjen se ku ka përfunduar diferenca prej 15.147 eurosh.

“Tregime të shpikura për mbledhje klikimesh”

E përballur me këto akuza, drejtoresha Vukov-Çoliq për mediat shkurt ka thënë se Bashkësia Turistike e Dugo Sellos punon në përputhje me ligjin.

Ajo ka shtuar se nuk mund të komentojnë tregime të shpikura dhe kallëzime të supozuara pa prova, të krijuara për mbledhje klikimesh.

Në cilën fazë ndodhet hetimi i DORH-it, për momentin nuk dihet.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *