
Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor për këtë vit. Bëhet fjalë për një 55-vjeçar nga Velesi, i cili pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup.
Sipas informacioneve nga Instituti i Shëndetit Publik, pacienti fillimisht ka shfaqur temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, lodhje të theksuar dhe çrregullim të vetëdijes. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e virusit “West Nile”.
“Pacienti aktualisht ndodhet në gjendje të përmirësuar dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, njoftojnë nga ISHP.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se personi i infektuar nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe nuk ka pasur kontakte me persona të tjerë me simptoma të ngjashme, çka nënkupton se infektimi ka ndodhur brenda territorit të vendit.
Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht të llojeve “Culex” dhe “Aedes”. Virusi qarkullon natyrshëm mes mushkonjave dhe shpendëve të egër, ndërsa njerëzit nuk e transmetojnë më tej sëmundjen.
Nga Instituti i Shëndetit Publik paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave dhe shtimin e aktivitetit të mushkonjave mund të paraqiten edhe raste të reja në periudhën e ardhshme.
Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, por tek një pjesë e pacientëve mund të paraqiten temperaturë, dhimbje koke, skuqje në lëkurë, dhimbje muskujsh dhe lodhje e madhe. Në raste më të rralla, sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze neurologjike si inflamacion të trurit, inflamacion të cipave të trurit apo paralizë.
Autoritetet shëndetësore rikujtojnë se për këtë virus nuk ekziston trajtim specifik apo vaksinë, prandaj mbrojtja nga mushkonjat mbetet masa më e rëndësishme parandaluese.
Mes rekomandimeve kryesore janë përdorimi i repelentëve, veshja me rroba me mëngë të gjata, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe shmangia e qëndrimit jashtë në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje, kur mushkonjat janë më aktive.
Po ashtu, qytetarëve u bëhet thirrje që të largojnë ujin e ndenjur nga oborret, vazot, gomat e vjetra dhe vende të tjera ku mushkonjat mund të shumohen./VOXAL/








