
Parakalimi i njësiteve speciale kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë në Kumanovë, ka bërë që të reagoj menjëherë Blerim Hyseni këshillar komunal i BDI-së në Kumanovë. Ja reagimi i z.Hyseni:
“Si këshilltarë komunal reagojmë ashpër ndaj prishjes së rendit dhe qetësise publike në Kumanovë. Të demonstroni forcë në këtë kohë, kur të gjithë pretendojmë ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe demokratike, është më shumë se provokim. Parakalimi i njësive speciale, në përbërjen e të cilave nuk ka pothuajse asnjë shqiptar, nëpër vendbanime me shumicë shqiptare, përbën akt të papranueshëm dhe provokues. Dënojmë ashpër këtë sjellje të papërgjegjshme dhe të patolerueshme të njësive speciale të MPB-së në Kumanovë. Ky demonstrim force nuk arrin të frikësojë askënd, por arrin të provokojë. Prandaj, ata që provokojnë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre të pamatura. Kumanova ka dëshmuar tolerancë etnike edhe në periudhat më të vështira. Por ajo që po ndodh në dy vitet e fundit, brohoritjet antishqiptare nëpër salla sportive, përdhosja e flamurit kombëtar shqiptar, si dhe vizitat e njëanshme të figurave politike serbe dhe të përfaqësuesve të Republikës Serbe të Bosnje e Hercegovinës në Kumanovë po dëshmojnë tendenca serioze për prishjen e bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike në këtë qytet. U bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin masa konkrete dhe të hetojnë: kush dha urdhrin për këtë demonstrim force, pse u organizua dhe cili ishte qëllimi i vërtetë i tij”








