Categories VENDI

Park kombëtar apo deponi ilegale? Sharri mbytet në mbeturina

Edhe pse zyrtarisht mbrohet si Park Kombëtar, realiteti në terrenin e Malit Sharr flet ndryshe. Në afërsi të fshatit Brodec janë hedhur divane të vjetra e mbeturina shtëpiake. Madje materialet e ngurta ndërtimore kanë “pushtuar” shtratin e lumit Shkumbin. Edhe pse kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pranon situatën alarmante, ai thekson se aksionet e thjeshta nuk mjaftojnë përballë kësaj ndotjeje masive.

“Jemi këtu për të bërë pastrimin e kësaj zone nga mbeturinat. Edhe vetë nga pamjet në terren u konstatua se ka nevojë për një ndërhyrje më serioze dhe për veprime në drejtim që edhe kjo zonë dalëngadalë t’i rikthehet bukurisë që ia ka falë Perëndia, dhe që qytetarët e banorët e zonës të mund që mbetjet edhe komunale edhe inerte t’i menaxhojnë edhe t’i hedhin aty ku duhet dhe jo në çdo vend, me çka edhe ndotet ambienti”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër, drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr” Evzal Elmazi konfirmon se nuk është shqiptuar asnjë dënim, duke e arsyetuar këtë me mungesën e alternativave për banorët.

“Është një problem që kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse, një zgjidhje afatgjatë, sepse nuk është qëllimi tash të fillojmë me dënimet. Bëhet fjalë për 27 vendbanime në territor të parkut dhe sidomos fshatrat e Malësisë ballafaqohen me probleme të kësaj natyre. Pra, do të jemi në vazhdimësi në komunikim edhe me Komunën e Tetovës, po ashtu edhe me Ministrinë e Mjedisit, që të gjendet një zgjidhje afatgjatë. Sepse nuk është qëllimi tash të pastrohet e pas një muaji prapë të kemi të njëjtat grumbullime mbeturinash. Mendoj se dënimet nuk do të kenë rezultat nëse nuk gjendet një alternativë për këta qytetarë se ku t’i hedhin ato mbeturina”, u shpreh Evzal Elmazi – drejtor i Parkut “Mali Sharr”.

Mungesa e një deponie zyrtare për materiale të ngurta në Tetovë dhe komunat përreth ka krijuar një situatë ku banorët dhe kompanitë private, në mungesë të alternativave, zgjedhin t’i asgjësojnë mbetjet e tyre direkt në natyrë apo në rrjedhën e lumit Shkumbin. Kjo plogështi institucionale po e shndërron njërën nga zonat më të bukura malore në një deponi gjigante në qiell të hapur.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *