
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit për rastin e Liridona Ademaj, duke thënë se drejtësia “foli me zë të qartë dhe të prerë”.
Ajo theksoi se, megjithëse asnjë aktgjykim nuk e kthen viktimën në jetë, vendimi riafirmon se dhuna ndaj grave kërkon përgjigjen më të fortë dhe nuk mund të tolerohet.
Osmani shtoi se ky rast duhet të shërbejë si shtysë për mbrojtjen e grave dhe trajtimin serioz të çdo rasti dhune, duke shprehur mbështetje për familjen e viktimës dhe të gjitha viktimat e femicidit.
Reagimi i plotë:
Sot drejtësia foli me zë të qartë dhe të prerë.
Fatkeqësisht, asnjë aktgjykim nuk e kthen kohën prapa dhe nuk e kthen Liridonën në jetë. Mirëpo sot u riafirmua një parim themelor: çdo cenim i jetës së grave kërkon përgjigjen më të fortë të drejtësisë. Ky vendim është një mesazh i qartë se dhuna ndaj grave nuk mund të relativizohet as të tolerohet.
Por ky nuk është fundi. Është shtytja e domosdoshme që jetët e grave të mbrohen dhe çdo rast dhune të merret seriozisht e të trajtohet në kohë.
Në një ditë si kjo, mendjet tona janë me familjen e Liridonës, si dhe me familjet e të gjitha grave dhe vajzave që nuk janë më në mesin tonë për shkak të femicidit.
Për Liridonën. Për çdo grua që nuk arriti të mbijetojë. Dhe për çdo vajzë që meriton të rritet e lirë dhe pa frikë, drejtësia do të jetë përgjigja përherë, ndërsa parandalimi, mbështetja dhe fuqizimi do të jenë angazhimi ynë i përditshëm.








