
Gjykata Themelore e Prishtinës ka dalë me njoftim lidhur me aktgjykimin që shpalli sot për vrasjen e Liridona Ademajt.
Themelorja ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me burgim prej 30 vitesh.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se Murseli është shpallur fajtor dhe dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Plava është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë Kokalla është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim në kohëzgjatje prej tridhjetë vitesh për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.
“Të akuzuarve N.M., G.P. dhe K.K., në dënimin e shqiptuar me burgim, iu llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, ndërsa me vendim të veçantë iu vazhdohet masa e paraburgimit”, theksohet në vendim.
Të akuzuarit detyrohen që të paguajnë të gjitha shpenzimet në emër të shpenzimeve të procedurës penale, po ashtu obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën secili nga 500 euro, si dhe nga 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
“Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit”, thuhet në njoftim.








