
Jeta e Vita Sara Blechner ndryshoi papritur më 7 mars 2020, kur ajo, një bibliotekare 67-vjeçare nga Nju Jorku, ndjeu dhimbje të forta në shpinë dhe shkoi në spital. Pas analizave, mjekët zbuluan një tumor në pankreas, një nga llojet më agresive të kancerit, me shumë pak shanse mbijetese afatgjatë. Kjo diagnozë e tronditi atë dhe familjen e saj, pasi ajo kishte bërë një jetë të shëndetshme sipas CNN.
Pas disa ditësh reflektimi dhe kërkimesh, Blechner vendosi të ndiqte një trajtim eksperimental të bazuar në teknologjinë mRNA, e njohur gjerësisht nga vaksinat kundër Covid-19, por që prej kohësh studiohej për trajtimin e kancerit. Ajo u trajtua në Memorial Sloan Kettering Cancer Center, nën kujdesin e një ekipi që po testonte një vaksinë të personalizuar kundër kancerit të pankreasit.
Ky trajtim ishte i veçantë sepse krijohej posaçërisht për çdo pacient. Studiuesit analizuan tumorin e saj për të identifikuar mutacionet specifike dhe për të krijuar një vaksinë që do të mësonte sistemin imunitar të saj të njihte dhe të sulmonte qelizat kancerogjene. Kjo qasje u bazua në studime mbi pacientët që kishin mbijetuar më gjatë se zakonisht, të cilët kishin një përgjigje më të fortë imunitare ndaj tumorit.
Fillimisht, Blechner iu nënshtrua një operacioni të madh (procedura Whipple) për të hequr tumorin. Mostrat e tumorit u dërguan në Gjermani, ku kompania BioNTech krijoi vaksinën e personalizuar brenda pak ditësh. Më pas, ajo mori disa doza të vaksinës në spital, së bashku me një trajtim imunoterapie që ndihmon sistemin imunitar të luftojë më mirë kancerin.
Pas përfundimit të vaksinës, ajo filloi kimioterapinë, por përjetoi efekte anësore shumë të rënda dhe trajtimi u ndërpre. Pavarësisht vështirësive, rasti i saj përfaqëson një hap të rëndësishëm në kërkimet për trajtimin e kancerit me mRNA. /skyweb.al








