
Etem Xheladini
Kujt duhet t’i besohet sot, politikëbërsve shqiptarë pjesëmarrës për 35 vite në pushtet, të cilët me një pompozitet të përsëritur deklarojnë se gjuha shqipe është e paprekshme dhe e garantuar institucionalisht, apo realitetit konkret që dëshmon të kundërtën.
Ngjarjet e fundit, të shënuara gjatë përvjetorëve dhe eventeve të organizuara nga institucionet shtetërore, e kanë nxjerrë në pah këtë kontradiktë në mënyrë të qartë, madje alarmante. Në këto manifestime zyrtare, të konceptuara për të reflektuar përfaqësimin dhe dinjitetin institucional, është evidentuar një mungesë pothuajse totale e përdorimit të gjuhës shqipe në materiale, mbishkrime dhe në komunikimin publik të ngjarjeve.
Ky fenomen bëhet edhe më shqetësues kur merret parasysh fakti se këto institucione operojnë në një shoqëri multietnike dhe, në përputhje me parimet kushtetuese dhe ligjore, janë të obliguara të reflektojnë barazinë gjuhësore në çdo segment të veprimtarisë së tyre. Megjithatë, gjatë gjithë organizimeve, nga pritja protokollare deri te fjalimet zyrtare, mungesa e gjuhës shqipe ishte jo vetëm e dukshme, por edhe e pajustifikueshme.
Në këtë kontekst, lindin pyetje legjitime mbi përgjegjësinë institucionale dhe individuale për këto lëshime. Vëmendja përqendrohet veçanërisht te roli i përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, në çdo nivel, lokal dhe qendror, të cilët, për shkak të funksioneve dhe mandatit përfaqësues që bartin, pritet të jenë garantues të zbatimit të standardeve të barazisë gjuhësore. A kemi të bëjmë me neglizhencë organizative, mungesë vullneti politik, apo me një problem më të thellë sistemik të moszbatimit të normave ekzistuese, apo mungesës së guximit të atyre që na përfaqësojnë. Mungesa e përfaqësimit të gjuhës shqipe në aktivitete të këtij niveli nuk mund të reduktohet në një çështje teknike apo protokollare. Ajo prek drejtpërdrejt parimet themelore të barazisë, përfshirjes dhe respektit institucional ndaj popullatës shqiptare, e cila përbën një një të tretën e këtij shteti. Për më tepër, raste të tilla minojnë besimin e qytetarëve ndaj deklaratave politike dhe thellojnë hendekun ndërmjet retorikës dhe realitetit.
Nëse gjuha shqipe konsiderohet realisht e garantuar dhe e barabartë, atëherë kjo duhet të reflektohet jo vetëm në ligje dhe deklarata formale, por në çdo praktikë institucionale, pa përjashtim. Përndryshe, çdo premtim mbetet i zbrazët, ndërsa çdo anashkalim i tillë shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.








