
Ministria e Arsimit ka publikuar rregullat kryesore për maturantët dhe kandidatët që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Sipas njoftimit, maturantët duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30, ndërsa provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Largimi nga provimi do të bëhet në orën 12:30 për të gjithë maturantët dhe kandidatët.

Ministria u kërkon maturantëve që të kenë me vete mjet identifikimi, kartë ID ose pasaportë. Ata duhet të marrin edhe dy stilolapsa, vizore të vogël dhe makinë llogaritëse të thjeshtë. Po ashtu, lejohet mbajtja e një shisheje me ujë.

Sa i përket veshjes, maturantët duhet të paraqiten me uniformën e shkollës. Në mungesë të uniformës, ata duhet të jenë të veshur me bluzë dhe xhinse.
Ministria kujton gjithashtu se gjatë plotësimit të testit duhet të përdoret vetëm stilolaps blu me një ngjyrë. Maturantëve u kërkohet të përqendrohen, ta lexojnë testin me kujdes dhe ta kontrollojnë atë për pasaktësi ose paqartësi në lexim.

Në njoftim theksohet se gjatë provimit kërkohet sjellje korrekte dhe vëmendje vetëm në testin individual.
Ministria ka bërë të qartë se telefonat celularë dhe orët smart janë rreptësisht të ndaluara gjatë provimit.

Po ashtu, maturantëve u kujtohet të ushqehen mirë para provimit, në mënyrë që të jenë të përgatitur fizikisht dhe mendërisht për testimin.








