Categories VENDI

Qytetarët në Maqedoni do të mund të nënshkruajnë deklaratë për dhurimin e organeve te mjeku i tyre amë

Ministria e Shëndetësisë informon se që nga sot, ndryshimet e propozuara në Ligjin për heqjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllim trajtimi janë të disponueshme në regjistrin elektronik ENER, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet e propozuara ligjore, ndër të tjera, parashikojnë ndryshimin dhe lehtësimin e procedurave administrative, të cilat do t’i mundësojnë çdo qytetari të vendosë të jetë dhurues potencial i organeve pas vdekjes së tij duke bërë deklaratë te mjeku i tij amë ose përmes një aplikacioni celular. Tërheqja e mundshme e deklaratës së dhënë parashikohet gjithashtu në të njëjtën mënyrë. Në këtë drejtim, ligji specifikon se familja e personit të ndjerë që ka bërë një deklaratë duke rënë dakord të jetë dhurues pas vdekjes së tij nuk mund ta pengojë atë.

“Ky është një hap tjetër në rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e dhurimit të organeve, si akti më i lartë i filantropisë që shpëton jetë njerëzore. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, që sistemi të jetë më transparent dhe konfidencial, dhe që vendimi personal të kthehet aty ku i takon – te personi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshimet ligjore do të mundësojnë krijimin e një liste elektronike kombëtare të donatorëve, si dhe zgjerimin e rrethit të personave që mund të jenë donatorë organesh të gjallë, ndërkohë që parashikojnë edhe futjen e kontrollit nga një Komision Etik që do të verifikojë nëse dhurimi është vullnetar dhe pa presion apo abuzim.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështetën dhurimin e organeve. Ata thanë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.

“Ne gjithashtu ndihmojmë në këtë mënyrë përmes kontakteve me njerëzit, nëse mund të vijmë deri te një donator i cili do të ndihmojë dhe të realizojë plotësisht dëshirën e tyre për të pranuar organ, për të shpëtuar jetën e tyre dhe për të vazhduar në mënyrë aktive si në familje ashtu edhe në shoqëri”, tha At Dimçe-KOM.

Kisha Katolike mendonte në të njëjtën mënyrë.

“Pozicioni është pozitiv dhe jo vetëm kaq, por kisha thërret dhe përmes dokumenteve të saj zyrtare inkurajon besimtarët të dhurojnë organe. Dhurimi i organeve është një shprehje dashurie ose, siç e quajti i ndjeri Papa Gjon Pali II, një akt heroik. Dhurimi i organeve është heroizëm”, u shpreh Oliver Tantushev- Kisha Katolike.

Rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *