
Kasami: rikonstruimi i Qeverisë pritet ta përfshijë edhe Fillkovin! Po mundohet që dështimin e tij ta mbulojë duke e rikthyer çështjen te temat ndëretnike
Një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami në TV21 tha se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov mund të jetë një nga figurat që do të përfshijë rikonstruimi i qeverisë. Duke komentuar çështjen e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Kasami tha se ministri Fillkov me deklaratat e tij, dështimin në punën e tij po mundohet ta mbulojë me tema etnike.
“Është e njohur botërisht, publikisht që një nga ministrat i cili do të rikonstruohet në rikonstruimin e qeverisë, do të jetë edhe ministri i Drejtësisë. Unë po e shoh që ai po mundohet ta shfrytëzojë dmth dobësinë e tij, dështimin e tij për të menaxhuar një diksater kaq të rëndësishëm, duke e rikthyer çështjen te temat ndëretnike, pra për të marrë ndonjë poen më të madh politik tek një pjesë e komunitetit maqedonas, ai po mundohet që shkarkimin eventual të tij ta arsyetojë me ‘ja unë desha ta mbrojë gjuhën maqedonase’”, tha Kasami.
Kasami tha se si në shumë raste të tjera, qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për çështjen e provimit të jurisprudencës është shumë korrekt.
“Pra në këtë rast, unë vlerësojë që kryeministri si shumë në raste të tjera, është shumë korrekt, duke mos dashur që ministrit në fjalë t’i japë peshën më të madhe që e meriton, apo hapësirën më të madhe që e meriton në opinion, se si duhet të adresohet kjo çështje, e tha qëndrimin e tij, të cilin e kemi edhe ne si VLEN, që kjo çështje duhet të zgjidhet me ligj dhe mos të ngelet në të ardhmen në vullnetin e lirë të ministrit të ardhshëm të Drejtësisë, kushdo qoftë ai”, tha Kasami.
“Kërkoj falje nëse dikush nga qytetarët është ndjerë i fyer nga ajo paraqitje e imja”, tha mes tjerash Kasami në lidhje me komentet në publik pasi në takomini e liderëve u paraqit me veturë luksoze BMW, të modelit të fundit të serisë 7. Kasami tha se vetura është e kushëririt të tij dhe se shfrytëzohet edhe nga partia Lëvizja Besa.
“Unë personalisht vozis një veturë të prindit tim dhe nuk disponoj veturë personale, edhe në komunë shfrytëzojmë veturën e partisë, pra të Lëvizjes Besa. E dinë opinioni që edhe herave të tjera kam qenë në takime të tilla, qoftë në qeveri, qoftë në takime të liderëve me vetura të shtrenjta do të kisha thënë, por edhe njëherë nuk është se e kam këtë kompleks. Është një veturë e kushëririt tim”, theksoi Kasami.
A ka autoritet për ta shkarkuar Limanin? Kasami: Sigurisht, për deri sa është në atë pozitë si propozim i VLEN-it
Sigurisht, për deri sa është në atë pozitë si propozim i VLEN-it, që ka ardhur nga Lëvizja Besa, edhe në rikonstruimin eventual, të parë që do të ndodhë, do të vijnë propozimet nga VLEN-i. Dhe sigurisht që duke respektuar propozimet nga subjektet që e përbëjnë VLEN-in, tha Kasami në pyetjen nëse ka autoritet të shkarkojë ministrin Fatmir Limani, në rast se nuk arrijnë të sqarohen në mbledhjen e nesërme të Kuvendit Qendror. Paraprakisht, Kasami tha se pret që ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, të flet para Kuvendit për punën e tij.
“Unë do të kisha dashur fillimisht t’i shtjellojmë të gjithë situatën , me gjithë kompleksitetin e saj brenda Kuvendit dhe nëse gjejmë zgjidhje se ku po çalon udhëheqisia me një dikaster kaq të rëndësishëm dhe se si mund ta përmirësojmë performancën tonë, ndoshta nuk është e nevojshme që sot të flasim nëse është çështje e sqarueshme para organeve të partisë”, tha mes tjerash Kasami.








