Categories VENDI

“MINISTËR KANABISI” | Mexhiti akuzon Taravarin, ky i fundit paralajmëron padi për shpifje

Debati për licencat e kanabisit mjekësor ka përplasur publikisht përfaqësues të pushtetit dhe opozitës, mes akuzave për shpifje dhe paralajmërimeve për padi.

Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, pjesë e qeverisë dhe kryetar aktual i komunës së Çairit, ka akuzuar ish-ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari për mënyrën e dhënies së licencave gjatë mandatit të tij.

“Kemi një temë këto ditë të kanabisit dhe duhet ta dijë opinioni se, ky sa ka qenë ministër i Shëndetësisë për 7 muaj. Shtatë licenca i ka nënshkruar si ministër i Shëndetësisë, zotëri Taravari. Ky nuk ka qenë ministër i Shëndetësisë, ky ka qenë ministër kanabisi, ministër marijuhana. Pra, me atë veprim, ky e ka sjell nëntokën e rajonit në Maqedoni. Dhe i shohim pasojat edhe sot nga politikat që ka bërë atëherë”, tha Mexhiti.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Arben Taravari, ish-ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët, i cili ka paralajmëruar veprime ligjore.

“Dëshiroj të ndaj me të gjithë ju se nuk zgjedh më rrugë të tjera përveçse se asaj ligjore për të reaguar ndaj shpifjeve të rënda që po adresojnë sërish në emrin tim. Kështu z. Izet Mexhiti ka thënë se në kohën time paskam dhënë 7 licenca për kultivimin e kanabisit dhe më quajti ministër Kanabisi. Unë do të ngre padi për shpifje dhe e tërheq vetëm nëse kërkon falje…falje publike”, deklaroi Taravari.

Ndërkohë, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po hetojnë nëse pesë tonelatat e marijuhanës së sekuestruara në Serbi janë prodhuar në fabrikat e kanabisit mjekësor në vend.

Sipas njoftimeve nga MPB, gjatë vitit të kaluar janë konstatuar parregullsi në katër kompani për prodhimin e kanabisit mjekësor. Në lidhje me këto raste janë paraqitur katër kallëzime penale kundër gjashtë personave fizikë dhe kundër katër personave juridikë.

Autoritetet bëjnë të ditur se janë sekuestruar mbi dy tonë e 132 kilogramë marihuanë dhe 2.148 bimë kanabisi, ndërsa është konfiskuar edhe një sasi ende e pacaktuar, e cila është dorëzuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.

Hetimet për rastin e sekuestrimit në Serbi dhe për parregullsitë e konstatuara në vend janë në vijim.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *