
Sektori për Parandalim pranë Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë dhe Këshilli Komunal për Parandalim, sot zhvilluan një fushatë për siguri në komunikacion dhe transport të sigurt publik të udhëtarëve dhe nxënësve.
Fushata e sotme u drejtohet të gjitha kompanive që kryejnë transport publik me autobus të udhëtarëve dhe nxënësve, duke theksuar domosdoshmërinë që automjetet të jenë teknikisht në rregull.

Autoritetet u bënë thirrje të gjithë shoferëve të autobusëve, pronarëve dhe kompanive që kryejnë transport ndërqytetës, ndërkomunal dhe transport të nxënësve, që të tregojnë përgjegjësi maksimale, të eliminojnë me kohë edhe defektet më të vogla dhe të kryejnë kontroll teknik të rregullt çdo 6 muaj.

Shefja e Seksionit për Parandalim pranë SPB Kumanovë, mr. Lile Mlladenovska, apeloi te shoferët dhe pronarët e autobusëve, të cilët kryejnë edhe transport ndërkombëtar të udhëtarëve, që para çdo nisjeje të bëjnë një kontroll të detajuar të autobusëve, me qëllim sigurimin e plotë të udhëtarëve.

Ajo theksoi se nga ana e SPB Kumanovë do të kryhen edhe kontrolle teknike të jashtëzakonshme të autobusëve. Për çdo autobus të konstatuar si teknikisht i parregullt, i cili mund të rrezikojë jetën e udhëtarëve, do të ndërmerren masat më të rrepta ligjore ndaj shoferëve dhe pronarëve si persona juridikë.

Qëllimi i kësaj fushate, siç theksoi Mlladenovska, është lëvizja e sigurt në komunikacion dhe garantimi i sigurisë së udhëtarëve që transportohen nga kompanitë e qytetit.









