Categories VENDI

Droni futet dy herë në dhomën e gjumit në Koçan, familja dyshon se po filmohej gjatë gjumit

Një rast i pazakontë dhe shqetësues është raportuar në policinë e Koçanit, pasi banorë të një pallati në rrugën “Dimitar Vllahov” kanë denoncuar se një person i panjohur, në dy raste gjatë orëve të vona të natës, ka futur një dron të vogël në banesën e tyre.

Sipas dëshmive të familjes, ekziston dyshimi se me dron janë filmuar anëtarët e familjes ndërsa flinin.

Gjatë incidentit të parë, droni ka hyrë përmes derës së hapur të tarracës dhe ka fluturuar drejt e në dhomën e gjumit. Zhurma e dronit i ka zgjuar banorët, ndërsa personi që e kontrollonte atë është përpjekur ta nxjerrë menjëherë nga banesa. Gjatë tërheqjes, droni ka goditur xhamin.
Pak më vonë, droni është shfaqur sërish dhe për herë të dytë ka hyrë në dhomën e gjumit, këtë herë duke depërtuar rreth një metër brenda dhomës. Anëtarët e familjes, të cilët tashmë ishin zgjuar, janë përpjekur ta rrëzojnë dronin, pas së cilës personi që e kontrollonte e ka tërhequr dhe është larguar.
Rasti është raportuar në polici, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit. Për ngjarjen është njoftuar edhe prokurori publik.
Policia i ka kërkuar Agjencisë së Aviacionit Civil të kontrollojë nëse gjatë periudhës së përmendur është raportuar përdorimi i ndonjë droni në territorin e Koçanit.
Nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan kanë njoftuar se po ndërmerren veprime për identifikimin e personit që e ka drejtuar dronin.
Banorët dyshojnë për incizim të paautorizuar dhe cenim të paprekshmërisë së banesës. Megjithatë, nëse është kryer vepër penale dhe për cilën vepër eventualisht bëhet fjalë, do të përcaktohet nga institucionet kompetente pas përfundimit të kontrolleve.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *