Categories BOTA

Robotët dalin në protestë në Varshavë: Mbroni vendet e punës!

Një skenë e pazakontë është regjistruar në rrugët e Varshavës, ku rreth 30 robotë humanoidë dhe katërkëmbësh kanë marrë pjesë në një protestë kundër ndikimit të inteligjencës artificiale dhe robotizimit në tregun e punës.

Robotët marshuan përpara Ministrisë polake të Çështjeve Digjitale, duke mbajtur flamuj dhe duke transmetuar përmes altoparlantëve mesazhe si: “Mbroni vendet e punës”, “Ka ardhur koha për rregulla” dhe “Mos prisni, rregulloni”.

Protesta u zhvillua më 7 shtator dhe u organizua nga iniciativa “Democratism”, e cila kërkon të nxisë një debat publik mbi pasojat që mund të sjellë zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe robotëve në tregun e punës.

Organizatorët kërkuan vendosjen e rregullave të qarta për të mbrojtur punëtorët nga rreziku i zëvendësimit nga robotët humanoidë dhe sistemet e avancuara të AI.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe roboti humanoid Agibot A3, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe përcolli një mesazh që synonte të nënvizonte se robotika e avancuar nuk është më thjesht një skenar i së ardhmes.

“Robotët këtu duhet të tregojnë se kjo teknologji është tashmë një realitet”, deklaroi roboti.

Organizatori Grzegorz Kuliś tha se shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që robotët humanoidë dhe inteligjenca artificiale të zëvendësojnë punonjësit, veçanërisht në profesione që lidhen me punën mendore.

Protesta tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe mori edhe një reagim nga ministri polak i Çështjeve Digjitale, Krzysztof Gawkowski, i cili doli të takonte organizatorët.

Gawkowski paralajmëroi për sfidat që mund të krijojë përdorimi i pakontrolluar i modeleve të inteligjencës artificiale në robotë humanoidë, ndërsa teknologjia pritet të bëhet gjithnjë e më e avancuar.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *