Categories BOTA

Mjeku gjerman dënohet me burgim të përjetshëm, vrau 15 pacientë

Një gjykatë në Berlin ka dënuar me burgim të përjetshëm një mjek gjerman të kujdesit paliativ, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij.
Autoritetet dyshojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë dhe kanë hapur hetime për dhjetëra raste të tjera.
41-vjeçari, i identifikuar si Johannes M, u shpall fajtor për vrasjen e 12 grave dhe tre burrave, të kryera midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024.

Viktimat ishin nga 25 deri në 94 vjeç. Gjykata dëgjoi se të gjithë ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk ishin në prag të vdekjes.
Sipas prokurorëve, gjatë vizitave në shtëpi, mjeku u administronte pacientëve një kombinim vdekjeprurës ilaçesh pa pëlqimin e tyre. Në disa raste, ai dyshohet se u vuri zjarrin banesave për të fshehur gjurmët e krimit.
Në korrik 2024, pak para arrestimit, prokurorët thanë se mjeku vrau dy pacientë brenda së njëjtës ditë: një 75-vjeçar në banesën e tij në qendër të Berlinit dhe, disa orë më vonë, një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje. Sipas hetuesve, ai u përpoq t’i vinte flakën shtëpisë së gruas, por dështoi.
Për pjesën më të madhe të procesit gjyqësor, që zgjati rreth një vit, mjeku nuk bëri asnjë deklaratë. Megjithatë, muajin e kaluar ai pranoi se kishte “vrarë njerëz”, duke iu referuar 12 pacientëve të tij të sëmurë rëndë.
Ai i tha gjykatës se ishte bindur se po vepronte drejt, pasi mendonte se po i kursente pacientët nga “vuajtjet dhe dobësitë”.
“Gjatë gjithë kësaj, mendova se kjo ishte gjëja më e mirë për të gjithë”, deklaroi ai, duke kërkuar më pas falje për vuajtjet që kishte shkaktuar.
Autoritetet dyshojnë se mjeku mund të ketë vrarë edhe pacientë të tjerë. Prokurorët po hetojnë aktualisht edhe 76 raste të tjera.
Sipas mediave gjermane, nëse këto dyshime provohen dhe ai shpallet fajtor edhe për rastet e tjera, bëhet fjalë për një nga rastet më të rënda të vrasjeve seriale në historinë e Gjermanisë.
Vetë mjeku deklaroi në gjykatë se do të “përfshihej shumë më herët në procedurat e ardhshme”.
Gjatë procesit gjyqësor, të afërmit e viktimave dëshmuan për dhimbjen e tyre. Nëna e viktimës më të re, një 25-vjeçare që humbi jetën në vitin 2021, tha mes lotësh: “Ajo kurrë nuk tha se nuk donte të jetonte më.”
Edhe djali i një gruaje 72-vjeçare, e cila vdiq në vitin 2024, tha se nëna e tij kishte planifikuar të shkonte me pushime në Detin Baltik së bashku me motrën e saj. “Nëna ime donte të vazhdonte të jetonte”, u shpreh ai.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, gjykata urdhëroi mbajtjen e mjekut në paraburgim parandalues dhe i ndaloi përgjithmonë ushtrimin e profesionit të mjekut.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *