
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim ndaj 18 personave fizikë dhe 8 personave juridikë lidhur me dyshimet për keqpërdorime financiare në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. Në aksionin e realizuar nga Policia Financiare, Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe MPB-ja, janë arrestuar 12 persona, ndërsa pesë të tjerë janë të pakapshëm për organet e ndjekjes.
Sipas Prokurorisë, nën hetim janë dy ish-kryetarë të FFM-së, ish-udhëheqësja e sektorit të financave dhe kontabilitetit, si dhe disa pronarë, menaxherë dhe persona të autorizuar të kompanive private. Ata dyshohen për veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Pastrim parash” dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale. Hetimi tregon se gjatë periudhës 2015–2019, përmes pagesave të paligjshme dhe faturave me përmbajtje të rreme, FFM-ja është dëmtuar për rreth 180.8 milionë denarë. Shërbimet për të cilat janë dhënë fatura asnjëherë nuk kanë arritur deri tek FFM-ja, sqaron prokurori i rastit.
“Ata kanë nënshkruar gjithsej 728 urdhërpagesa që u ishin dorëzuar nga e dyshuara e tretë për nënshkrim dhe realizim. Në këtë mënyrë janë kryer pagesa të paligjshme për shërbime që Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) nuk i ka marrë kurrë nga personat juridikë, si dhe për mallra që asnjëherë nuk kanë hyrë në FFM. Me këto veprime është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material në vlerë prej 180 milionë denarësh ose rreth 3 milionë euro.”, – deklaroi prokurori publik, Faton Azizi.
Prokuroria kërkoi paraburgim për 8 të dyshuar, ndërsa për 4 të tjerë masa të tjera sigurie. Njëri nga të dyshuarit tashmë ndodhet në paraburgim në një procedurë tjetër.








