
Katër persona kanë humbur jetën në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmë në autostradën e Shkupit, pasi një kamion me targa të Kosovës ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me një veturë tip “BMW”, raporton Zyrtare.net
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti është raportuar më 21 maj 2026, rreth orës 23:00.
“B.B. (76) nga Kosova, duke drejtuar automjet transportues – kamion të tipit ‘MAN’ me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kaluar përmes gardhit metalik në drejtimin e kundërt të autostradës, ku është përplasur me veturën ‘BMW’ me targa të Shkupit, të drejtuar nga R.V. (51) nga Shkupi”, njoftojnë nga MPB.
Pas përplasjes, në të dyja automjetet ka shpërthyer zjarr, ku vetura dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht. Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës Kundër Zjarrit të Shkupit.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë shoferi i veturës R.V. (51), si dhe bashkëudhëtarët A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi. Viktimë ka mbetur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat janë dërguar për obduksion.
Nga MPB bëjnë të ditur se shoferi i kamionit është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor.
“Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për shkak të kryerjes së ekspertizës në vendngjarje, qarkullimi në unazën e Shkupit ishte ridrejtuar nga ora 23:10 deri në 05:00 të mëngjesit, kur trafiku u normalizua.








