Categories RAJONI

Tkurrja e popullsisë, Shqipëria regjistroi më shumë vdekje se lindje në fillim të 2026-ës

Kurbat e demografisë shqiptare kanë shënuar një pikë kthese kritike në fillim të këtij viti. Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) konfirmojnë tkurrjen natyrore të popullsisë. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, në Shqipëri janë regjistruar më shumë humbje jete sesa lindje të reja, duke e futur shtesën natyrore në territor negativ. Ky tregues vjen si një sinjal alarmi pas një viti 2025 që kishte paralajmëruar rënien e thellë të numrit të foshnjave të lindura.

Lindjet nuk mbulojnë vdekjet

Të dhënat tregojnë se nga janari në mars 2026, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi negative me 368 vdekje më shumë se lindje. Gjatë kësaj periudhe, në jetë erdhën 5.146 foshnje, ndërsa u regjistruan 5.514 vdekje, shkruan rtsh.al, raporton KlanKosova.tv.

Ndonëse numri i lindjeve shënoi një rritje të lehtë prej 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, dhe vdekjet ranë me 7,4%, bilanci i përgjithshëm mbetet në disavantazh të jetës së re.

Bilanci i vitit 2025, rënie në të dyja frontet

Viti i kaluar, 2025, ndonëse u mbyll me një shtesë natyrore pozitive (+1.147 lindje më shumë se vdekje), konfirmoi një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2024. Gjatë gjithë vitit u regjistruan 22.541 lindje (një rënie prej 3,3%) dhe 21.394 vdekje (një rënie prej 3,2%).

Harta demografike e vendit tregon një polarizim të theksuar mes kryeqytetit dhe qarqeve të tjera. Tirana mbetet “motori” i vetëm demografik, duke mbajtur peshën kryesore të lindjeve.

Panorama e qarqeve (viti 2025)

Tirana kryeson me 10.866 lindje, duke qenë i vetmi qark që shënoi rritje (20,7%).

Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët me vetëm 292 foshnje të lindura. Rënia më e thellë u shënua në qarkun e Dibrës (-37,7%).

Ashtu si me lindjet, Tirana mban numrin më të lartë të vdekjeve (5.483), ndërsa Kukësi ka numrin më të ulët (486 vdekje), duke shënuar dhe rënien më të madhe me -8,8%.

Çfarë po ndodh në 2026?

Trendi i tremujorit të parë të 2026-ës paraqet një hartë pak më ndryshe të lëvizjeve brenda qarqeve.

Tirana sërish dominon me 2.438 lindje. Surprizën këtë tremujor e ka bërë Berati, i cili shënoi rritjen më të madhe të numrit të lindjeve me 14,5%. Ndërkaq, Gjirokastra thellon krizën me vetëm 59 lindje në tre muaj (një rënie prej 23,4%).

Tirana regjistroi 1.422 vdekje. Përveç Elbasanit që pati një rritje të lehtë të këtij treguesi (+3,2%), 11 qarqet e tjera panë një rënie të numrit të fataliteteve, ku spikat Kukësi me një rënie të ndjeshme prej 28,3%.

Këto lëvizje tregojnë se Shqipëria nuk po përballet me rritje të vdekshmërisë, por edhe me një krizë të ripërtëritjes së gjeneratave.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *