
Njëri nga kryetarët e VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një video-porosie ka theksuar se 9 maji nuk është vetëm data e mbajtjes së një kongresi politik, por një moment kthese për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Mexhitit, Kongresi i Bashkimit të VLEN-it paraqet momentin kur besimi i qytetarëve shndërrohet në lëvizje politike dhe kur bashkimi i forcave shqiptare merr formë konkrete.
“Për herë të parë në historinë e këtij vendi, pesë forca politike shqiptare bëhen një. Nga Dibra në Shkup, nga Kërçova në Tetovë, nga Gostivari në Kumanov, nga Struga në Likovë, një zë, një qëllim, një drejtim”, thuhet në mesazhin e video-porosisë.
Mexhiti thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për ndarje, por për bashkim, për më shumë dinjitet, zhvillim, përfaqësim dhe peshë politike në vendimmarrje.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë të ndahen për të ekzistuar. Kanë nevojë të bashkohen për të vendosur”, përcillet në mesazhin e tij.
Ai shton se me Kongresin e 9 majit po lind një epokë e re politike, ku vota shqiptare nuk shpërndahet, por fuqizohet, ndërsa shqiptarët nuk përçahen, por faktorizohen.
Kongresi i parë i VLEN-it mbahet më 9 maj, në Ditën e Evropës, ku formalizohet bashkimi i pesë forcave politike shqiptare në një subjekt të vetëm politik.








