
Komuna e Haraçinës pritet së shpejti të bëhet me një hapësirë të re publike, pasi kryetari i saj, Daut Beqiri, ka njoftuar për projektin e ndërtimit të “Sheshit të Dëshmorëve”.
Sipas njoftimit, projekti synon jo vetëm krijimin e një sheshi përkujtimor, por edhe përmirësimin e qarkullimit të komunikacionit në këtë zonë, e cila aktualisht përballet me vështirësi për shkak të parkimit të veturave. Me realizimin e këtij investimi, pritet që hapësira të bëhet më funksionale dhe më e organizuar për qytetarët.
Projekti përfshin vendosjen e një monumenti me simbolikë të shqiponjës, si dhe një pllakë përkujtimore kushtuar Komandant Telit dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke i dhënë kështu dimension historik dhe përkujtimor këtij zhvillimi urban.
Para marrjes së vendimit përfundimtar, kryetari Beqiri ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në proces. Ai ka ftuar banorët që të ndajnë opinionet dhe sugjerimet e tyre, qoftë përmes komenteve publike, qoftë duke marrë pjesë në panelin e diskutimit.
Debati publik do të mbahet të premten, më 8 maj, në ora 14:00, në sallën e Këshillit Komunal të Komunës së Haraçinës.
“Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një Haraçinë më të mirë për të gjithë”, thuhet në thirrjen drejtuar qytetarëve.








