
Koalicioni VLEN ka hedhur poshtë akuzat e BDI-së për keqmenaxhim në MEPSO, konkretishf për projektin energjetik të lidhjes me Shqipërinë, ndërsa ka kërkuar llogaridhënie penale për qeverinë e kaluar
Sipas reagimit të VLEN-it, projekti kyç energjetik për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë ishte praktikisht i ngrirë kur VLEN mori drejtimin e MEPSO-s.
“Në vend që të shpjegojë pse projekti kyç energjetik për lidhjen me Shqipërinë ishte i bllokuar për vite, BDI sërish zgjedh të përhapë dezinformata dhe konstruksione politike. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e pakëndshme për ta. Projekti që sot e sulmojnë ishte në një gjendje pothuajse tërësisht të bllokuar, me realizim prej vetëm 4% në një periudhë katërvjeçare.
VLEN akuzon se një anëtar i BDI-së, Nefiu nga Ohri, ka qenë nënkontraktues kryesor në projekt, ndërsa bgre dyshime se pajisjet e projektit ndodheshin në depot e tij dhe fitimet nga projekti mund të kenë përfunduar tek zyrtarë të lartë të BDI-së, duke përmendur drejtpërdrejt emrat e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit.
“BDI do të duhet të përgjigjet pse anëtari i tyre partiak Nefi nga Ohri ishte nënkontraktues kryesor në projekt që shërbente vetëm për vjelje parash nga MEPSO. BDI do të duhet të përgjigjet si është e mundur që pajisjet për këtë projekt ndodheshin në depot e Nefiut nga Ohri”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, vijon VLEN-i, shteti ka paguar interesa për kredi që nga viti 2015, pa përparim të projektit. “Sipas analizave të brendshme dhe studimit të fizibilitetit të MEPSO, për çdo vit të mospërfundimit të projektit, gjeneron humbje rreth 5 milionë euro. Kjo do të thotë se dëmi i vërtetë nuk është ai që sot BDI e përdor në retorikë, por dëmi që është krijuar për vite për shkak të paaftësisë dhe vendimeve të gabuara të tyre”.
Sipas VLEN-it, ndërprerja e kontratës me kontraktorin e mëparshëm është vendim institucional, i mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe jo vendim politik.
“Kontraktori i ri i zgjedhur është kompania kroate Dalekovod d.d., pjesë e grupit industrial KONČAR, e cila realizon projekte në mbi 80 shtete dhe bashkëpunon me operatorë skandinavë si Statnett dhe TenneT”.








