Categories VENDI

Të dhëna alarmante të abuzimit seksual të fëmijëve në Maqedoni, 508 raste për katër vite

“Në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, në vend u regjistruan 508 raste të abuzimit seksual të fëmijëve, ku sistemi i mbrojtjes së viktimave reagoi në mënyrë të fragmentuar, duke mos ofruar mbështetje në kohë dhe shpesh duke shkaktuar viktimizim dytësor”, thuhet në gjetjet e analizës së fundit nga Avokati i Popullit.

Sipas të dhënave që i prezantoi sot zv.Avokatja e Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, nga numri i përgjithshëm i viktimave në periudhën pesëvjeçare të analizuar, 455 ishin vajza dhe 53 ishin djem. Ajo theksoi se shumica e rasteve kanë të bëjnë me krime të rënda, përkatësisht 186 raste të përdhunimit të një fëmije nën moshën 15 vjeç, 99 raste të sulmit seksual dhe përdhunimit, si dhe 196 raste të jetës jashtëmartesore me një të mitur.

“Trendi alarmues vazhdon në vitin 2025 kur u regjistruan 96 fëmijë të rinj, viktima të krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit, nga të cilët 88 ishin vajza dhe tetë ishin djem. Mbi 57 përqind e viktimave janë midis moshës 11 dhe 15 vjeç, por, janë regjistruar edhe viktima nën moshën 10 vjeç dhe madje edhe nën tre vjeç”.

“Përfundimi i përgjithshëm është se pavarësisht ekzistencës së një kuadri formal ligjor dhe strategjik, sistemi për mbrojtjen e fëmijëve viktima nuk ofron mbështetje të qëndrueshme, në kohë dhe të përshtatur në respekt të parimit të interesit më të mirë të fëmijës. Se abuzimi seksual i fëmijëve është një problem i vazhdueshëm dhe sistemik konfirmohet nga të dhënat e ofruara nga autoritetet kompetente”, theksoi Bajramovska-Mustafa.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *