
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar sot Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjitha seancave të procesit gjyqësor ndaj tij.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Meta shprehet se “në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit”, pasi “transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”.
“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live).
Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!” shprehet Meta.
Kërkesa e Metës vjen ndërsa gjyqi në themel për dosjen e tij dhe 4 të pandehurve të tjerë, nis të hënën.








