
Forcat Ajrore të Koresë së Jugut kanë kërkuar falje publike për një përplasje në ajër mes dy avionëve luftarakë F-15K, e ndodhur në dhjetor të vitit 2021 pranë Daegu, pasi hetimet zbuluan se pilotët po bënin selfie dhe video gjatë fluturimit.
Në një konferencë për shtyp, një zëdhënës i forcave ajrore shprehu “ndjesë të sinqertë ndaj publikut për shqetësimin e shkaktuar”, duke shtuar se një nga pilotët është pezulluar, është ndëshkuar disiplinarisht dhe tashmë është larguar nga ushtria.
Sipas një raporti të Bordi i Kontrollit dhe Inspektimit, përplasja ndodhi gjatë një fluturimi formacioni, kur pilotët kryen manovra të paplanifikuara për të realizuar xhirime personale.
Hetimi zbuloi se njëri prej pilotëve u përpoq të regjistronte momente nga fluturimi i tij i fundit me njësinë, duke ndryshuar kursin dhe këndin e avionit pa leje për të përmirësuar pamjet, ndërsa piloti tjetër po filmonte nga avioni shoqërues.
Ndërsa avionët u afruan rrezikshëm, ekuipazhet tentuan manovra shmangëse, por bishti i njërit avion goditi krahun e tjetrit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme që arrijnë rreth 880 milionë won (afërsisht 600 mijë dollarë). Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.
Bordi fajësoi kryesisht pilotin që ndërmori manovrat e rrezikshme, por kritikoi edhe Forcat Ajrore për mungesë kontrolli mbi xhirimet gjatë fluturimeve në atë kohë. Si masë ndëshkuese, pilotit i është kërkuar të mbulojë një pjesë të kostove të riparimit.
Autoritetet ushtarake kanë bërë të ditur se po marrin masa për të forcuar rregullat e sigurisë ajrore dhe për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.








