
Vetëm me votat e mazhorancës është miratuar në lexim të dytë Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, të njohur në publik si ‘Ligji për çmimet tavan”.
Për ishin 63 vota, asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Gjatë shqyrtimit nuk kaluan amendamentet që i ka propozuar deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, por vetëm ato të Komisionit funksional.
Opozita e kundërshtoi këtë projektligj duke argumentuar se nuk janë adresuar kërkesat e tyre të paraqitura pas leximit të parë. Sipas tyre, ligji parasheh krijimin e një bordi, pavarësia e të cilit vihet në pikëpyetje; nuk përcaktohet qartë marzha dhe formulimi i ligjit nuk është adekuat.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, deklaroi se edhe në lexim të parë kanë dhënë vërejtjet e tyre. Ai theksoi se nuk janë kundër një ligji që ndalon abuzimet në treg, por kundërshtojnë mënyrën e formulimit të tij.
“Nuk mund të lejojmë që një trup të vlerësojë se çfarë përbën rritje të paarsyeshme në treg… Duhet të ketë një metodologji të qartë brenda ligjit. Ne jemi për një ligj që ndalon abuzimet në treg, por jo përmes improvizimeve si ky ligj. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në votim” – tha Mustafa.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, u shpreh se pavarësia e bordit, metodologjia dhe marzha nuk janë adresuar, pavarësisht kërkesave të tyre pas leximit të parë.
“Sipas nesh, ky ligj mund të jetë i imponuar dhe i ndikuar politikisht, duke rrezikuar të jetë i kapur nga partia në pushtet. Si i tillë, ai ndikon në furnizim dhe zhvillim ekonomik. Ne nuk do të votojmë për shkak të përmbajtjes”- deklaroi Ymeri.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, akuzoi se ky projektligj “fund e krye” është antikushtetues.
“Ky ligj ka kuptim vetëm nëse shpallet në gjendje e jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është ligj sepse nuk definon asgjë”- tha ai.
Hoti tha se nuk është kundër bordit, por vuri në pikëpyetje se çfarë etike dhe profesionaliteti do të kenë ata persona në bord.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se edhe bordi edhe ligji janë farsë politike.
“Nuk mundet me ndiku ky ligj. Për me ndiku duhet me pas politika..”- tha Bajrami.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk e mbështesin këtë ligj, duke sugjeruar masa alternative për stabilizimin e çmimeve.
“Për stabilizimin e çmimeve, Qeveria është dashur të ulë akcizën dhe TVSH-në… Ne jemi kundër krijimit të institucioneve paralele brenda Qeverisë, që zëvendësojnë funksionet ekzistuese. Ky bord merr detyra që tashmë i ka Qeveria. Ky ligj vetëm krijon pesë vende pune në bord dhe një instancë për të fajësuar. Mos e votoni këtë ligj!” – u shpreh Tahiri.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, iu kundërpërgjigj kritikave duke theksuar se ekziston një kontradiktë në qëndrimet e opozitës, duke thënë se ligji për çmimet tavan aktivizohet vetëm në situatë kur ka destabilizim të tregut.
Duke folur para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, Kusari Lila tha se vlen për 14 produkte esenciale të përcaktuara në projektligj.
“Janë produktet e shportës bazë që synim e kanë mbrojtjen e kategorive më të lëndueshme nga ndryshimi i çmimeve. Nuk është projektligj që i hyn listës së përgjithshme të produkteve në të gjitha marketet dhe i përcakton çmimet. Jo! I përcakton vetëm listën e produkteve që janë të miratuara” – tha Kusari Lila.
“Gjykata Kushtetuese ka thënë se Qeveria nuk mund të bëjë përcaktimin e çmimeve dhe të përcjell implementimin e saj për shkak se janë disa ligje në fuqi, por edhe mekanizma që duhet të jenë të pavarur. Ideja dhe moduli më i qasshëm dhe lehtë i zbatueshëm ka qenë bordi, i cili me konkurs të hapur përzgjedhet, me inicim nga Qeveria e me votim nga Kuvendi, ndërsa shumicën dhe pakicën në Kuvend e përcaktojnë zgjedhjet”, deklaroi ajo.
Mes kundërshtimeve nga deputetë të opozitës, Kuvendi i Kosovës, edhe më 10.04.2026, kishte miratuar në parim këtë projektligj.








