
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka dhënë vërejtje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në kuadër të grupit të punës të Ministrisë së Drejtësisë.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, tha se institucioni nuk është pjesë e grupit, por është ftuar të japë mendime. Ai bëri të ditur se janë dorëzuar mbi 15 vërejtje teknike për përmirësimin e procesit zgjedhor.
Vërejtjet lidhen kryesisht me listat e kandidatëve, veçanërisht për kandidatët e pavarur, si dhe me mbulimin e kostove të bordeve zgjedhore. Sipas tij, këto çështje kërkojnë sqarime shtesë për të shmangur paqartësitë gjatë zbatimit në praktikë.
KSHZ ka kërkuar që të përfshihet sërish në fazën përfundimtare të draftit, ndërsa për kërkesat e iniciativave civile thotë se do të japë qëndrim pasi të shqyrtohen. Ai shtoi se bashkëpunimi me institucionet është i rëndësishëm për të siguruar zgjedhje më efikase dhe transparente.








