Categories VENDI

A PO KTHEHET “NIPI” TE “DAJA”?! Ahmeti dhe Limani përsëri bashkë në Tiranë

Rishfaqjet e njëpasnjëshme të ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, përkrah liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, po lexohen gjithnjë e më shumë si sinjale politike dhe jo thjesht si pjesëmarrje protokollare në aktivitete publike. Në një moment kur raportet brenda koalicionit “VLEN” janë të tensionuara dhe pozicioni i Limanit në Qeveri shihet si i lëkundur, çdo dalje e përbashkët me Ahmetin ushqen dilema për një ripozicionim të mundshëm politik. Në këtë kontekst, paraqitja e tyre në Tiranë, nën organizimin e kryeministrit Edi Rama, merr peshë përtej simbolikës së një samiti, duke ngritur pyetje nëse kemi të bëjmë me një afrimitet të ri politik apo me një strategji presioni brenda kampit qeverisës.

Brenda një periudhe të shkurtër, kjo është paraqitja e dytë e përbashkët e Limanit dhe Ahmetit në Tiranë, pasi ata u shfaqën së bashku edhe gjatë një iftari më 12 mars. Edhe atëherë, prania e tyre në të njëjtin ambient u interpretua si më shumë sesa një rastësi, duke nxitur spekulime për një afrim të mundshëm mes dy figurave, sidomos në rrethanat aktuale politike.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse gjatë qëndrimit të tyre të fundit në Tiranë ka pasur edhe një takim të drejtpërdrejtë mes tyre. Ajo që dihet është se të dy kanë qenë pjesë e të njëjtit manifestim, ku Limani ishte i përfshirë në një panel që trajtonte rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e komuniteteve lokale dhe promovimin e turizmit, ndërsa Ahmeti në një tjetër diskutim që prekte bashkëpunimin mes shtetit dhe diasporës. Në profilin e tij në rrjetet sociale, Ahmeti publikoi fotografi nga aktiviteti, në të cilat shihet edhe Limani pranë tij, duke e shoqëruar postimin me mesazhe për unitetin dhe bashkëpunimin e shqiptarëve.

“Ky samit shërben si një urë uniteti për shqiptarët kudo që janë, duke forcuar bashkëpunimin dhe përkushtimin për zhvillimin dhe perspektivën evropiane”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, mungesa e reagimeve zyrtare nga koalicioni VLEN për këtë paraqitje të re nuk ka kaluar pa u vërejtur. Heshtja vjen pas reagimeve të mëhershme, kur pas iftarit të marsit, figura nga ky koalicion sugjeruan publikisht se Limani po afrohej me Ahmetin. Vetë Limani atëherë kishte tentuar ta relativizonte situatën, duke theksuar se pjesëmarrja e tij ishte në cilësinë e ministrit dhe në respekt të traditës. Por paralelisht, ai kishte sinjalizuar për tensione të brendshme në “VLEN”, duke folur për një përpjekje për ta përjashtuar nga skena politike.

“Nuk është sekret se brenda VLEN po zhvillohet një betejë për të zëvendësuar protagonistët kryesorë me figura të tjera. Në këto rrethana, askush nuk mund të presë që unë të rri duarkryq”, kishte deklaruar Limani, duke lënë të hapur mundësinë e një reagimi politik. Këto zhvillime kanë shtuar paqartësitë rreth së ardhmes së tij në Qeveri. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se gjatë muajve maj ose qershor pritet një rikonstruim i Qeverisë, proces që do të shoqërohet me konsultime mes partnerëve të koalicionit.

Ai ka theksuar se të gjitha çështjet do të diskutohen në kuadër të marrëveshjes mes partnerëve qeverisës – koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, “VLEN” dhe ZNAM – pa përjashtuar edhe pozicionet individuale të ministrave. Megjithatë, në një deklaratë të mëhershme, Mickoski kishte shprehur vlerësim për punën e Limanit, duke e cilësuar atë si një “vlerë të shtuar” në Qeveri, çka e bën edhe më të paqartë nëse zhvillimet e fundit do të reflektohen në vendime konkrete. Në këtë klimë pasigurie dhe tensioni politik, paraqitjet e përbashkëta të Limanit me Ahmetin nuk mbeten më vetëm fotografi nga aktivitete publike, por po interpretohen si pjesë e një loje më të gjerë politike, ku çdo lëvizje mund të jetë paralajmërim për zhvillime të reja në skenën politike shqiptare në vend. (koha.mk)

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *