
Zeki Sylemaja në moshën 24 vjeçare vendosi të kthehet nga Gjermania për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ra në dëshmor në Betejën e Koshares, betejën e përgjakshme dhe heroike të UÇK-së falë së cilës ra edhe kufiri shqiptaro-shqiptar.
Fetije Sylemaja sot në 27-vjetorin e Betejës së Koshares kujton momentin kur djali i saj u kishte treguar se do t’i bashkohej luftës për liri. Ajo për KosovaPress tregon se pa djalin e saj jeton me shumë dhimbje, por edhe me shumë krenari.
“Prej që krisi lufta këtu ka kontribuar me të holla. Kur kërsiti në Drenicë i ka thënë vëllait të tij: ‘unë nuk mund të rri’ dhe vetëm kur na ka thënë ditën e fundit: unë nesër jam në aeroplan ne i thamë: ku po shkon. Ai tha ‘askend nuk e marr me vete, kush e do Kosovën, gjithkush e do për vete, unë tha kështu po e dua Kosovën’… Më 16 prill më ka rënë djali. Në mars ka ardhur nga Gjermania… Më thirri para se të hyjë këtu. Më tha: ‘Nanë a ma bën hallall’. I thashë pse djali jem, hallall të qoftë… Pas rënies së djalit jemi kthyer menjëherë, nuk mund të rri më.
Dhimbje e madhe, por edhe krenari. Lum ai për vete edhe për këtë jetë, por edhe për atje po me shumë për atje se këtu njerëzit e harrojnë. Nuk ka problem”, tha ajo.
Më 14 prill 1999 në Betejën e Koshares ra edhe Kasim Uka, i cili ishte angazhuar herët në bartjen e armatimit për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E, vëllai i tij Përparim Uka sot teksa qëndron krenar para varrit të vëllait të tij dëshmor kërkon që shteti të bëjë më shumë.
“Herët kishte nisur të angazhohej në bartje të armatimit me shokë nga fshati. Aty pasi ka ardhur ofensiva e madhe ka kaluar në Shqipëri dhe iu është bashkangjitur Agim Ramadanit dhe në Koshare është vrarë më 14 prill 1999… Mirë e konsiderojmë. Pak më mirë me u pa bë do të ishte më mirë”, tha Uka.
Betejës së Kosovës në Koshare i ishte bashkuar edhe luftëtari, Bylbyl Bresjani nga fshati Markaj i Bajram Currit, i cili u vra në qershor 1999. Luftëtar të pashoq e quan bashkëluftëtari i tij, Agim Gjukaj. Kërkon që mos të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve.
“Ky ka lënë një kujtim të pashoq në atë kohë dhe e kam njohur se isha pjesëmarrës edhe unë këtu. Kështu që veç ishalla nuk shkelin mbi gjakun e dëshmorëve se po më duket punët janë mbrapsht. E uroj të kthehen mbarë”, tha ai.
Beteja e Koshares nisi me 9 prill 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999, duke u thyer kufiri shqiptaro-shqiptar. Thyerja e kufirit nuk shënoi vetëm një fitore morale të UÇK-së, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Betejën e Koshares ranë dëshmorë 114 luftëtarë dhe u plagosën 380 të tjerë.








