
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe njëherësh profesor në Universiteti i Tetovës, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar të studentëve më 6 prill, duke shprehur mbështetje të hapur për kërkesat e tyre.
Ademi thekson se situata aktuale është shqetësuese, pasi sipas tij, studentët që edukohen për drejtësi dhe ligj, sot janë të detyruar të dalin në protestë pikërisht për këto parime bazë.
Statusi i plotë i Arbër Ademit, Sekretar gjeneral i BDI-së, njëherësh profesor në Universitetin e Tetovës:
Të hënën, më 6 prill, studentët do të protestojnë për të drejtën e tyre.
Si profesor i tyre, ndihem keq që studentët që i kemi mësuar dhe i mësojmë për drejtësi dhe ligj, sot duhet të protestojnë për drejtësi dhe për zbatim të ligjit.
Si baba i dy fëmijëve që nesër do të jenë studentë, nuk mund të jem indiferent. Sepse ajo që u ndodh studentëve sot, mund t’u ndodhë fëmijëve tanë nesër.
Dhe si njeri, nuk mund të hesht përballë padrejtësisë.
Prandaj do të jem në krah të studentëve. Sepse ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që u takon.
Ata po kërkojnë drejtësi.








