
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shprehur mbështetje të hapur për studentët shqiptarë që po kërkojnë të drejtën për trajtim të barabartë, duke theksuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime. Në një reagim publik, Taravari është shprehur se si prind dhe si profesor universitar nuk mund të qëndrojë indiferent përballë zërit të studentëve.
“Si baba i një studenti dhe si profesor universitar, nuk mund të qëndroj indiferent përballë zërit dhe kërkesave të studentëve shqiptarë”, ka deklaruar ai.
Ai thekson se mbështetja e tij vjen pa asnjë interes politik, por si detyrim moral ndaj një kauze që lidhet me dinjitetin dhe të drejtat themelore.
“I përkrah studentët me gjithë zemër, larg çdo interesi tjetër, sepse besoj se e drejta dhe dinjiteti i tyre janë mbi çdo kalkulim tjetër”, ka shtuar Taravari.
Sipas tij, kërkesa e studentëve nuk është e tepruar, por lidhet drejtpërdrejt me parimin e trajtimit të barabartë. “Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë veçse atë që u takon – trajtim të barabartë”, thekson ai. (koha.mk)








