Categories VENDI

MEDIA TRADICIONALE DHE DIGJITALIZIMI! Kryesojnë televizioni dhe rrjetet sociale

Televizioni me 72.4 për qind dhe rrjetet sociale me 69.4 për qind janë burimet kryesore të informacionit për qytetarët, me përdorim pothuajse të njëjtë çdo ditë. Kjo tregon një model të dyfishtë informimi – tradicional (TV) dhe digjital. Portalet online janë një burim i tretë i rëndësishëm, ndërsa radioja dhe mediat e shkruara kanë ndikim më të vogël. Ndërkohë, ndikuesit kanë një ndikim real, por të kufizuar, sipas një hulumtimi të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audiovizuale.

Sondazhi i opinionit publik dhe qëndrimeve ndaj mediave, i realizuar nga 27 dhjetor 2025 deri më 25 janar 2026, tregon se telefoni inteligjent është pajisja më e përdorur. Plot 96.6 për qind e të anketuarve zotërojnë dhe përdorin një smartphone, ndërsa pajisjet tradicionale si radiot dhe sistemet muzikore përdoren gjithnjë e më pak ose nuk zotërohen fare. “Televizorët vazhdojnë të kenë një prani të lartë, por ato trajtohen kryesisht si pajisje të përbashkëta familjare në shtëpi, ndryshe nga kompjuterët/laptopët ku pronësia individuale dhe përdorimi personal janë më të theksuara”, thuhet në hulumtim.

Shumica e të anketuarve (83.4 për qiind) mendojnë se televizioni ka ndikim të madh në formimin e opinionit publik. Sa i përket ndikimit të politikanëve në lajmet televizive, mendimet janë të ndara. TV vazhdon të ketë edhe rol edukativ, pasi 66.2 për qind e qytetarëve thonë se kanë mësuar gjëra të dobishme prej tij.

Megjithatë, oferta e programeve televizive vendase vlerësohet e ndarë: 45.6 për qind e qytetarëve shprehen të pakënaqur.

“Edhe pse një e pesta e qytetarëve (20.4 për qind) janë të kënaqur dhe nuk do të ndryshonin asgjë, midis pjesës tjetër të audiencës ekziston një kërkesë e qartë për përmbajtje me cilësi më të mirë. Mungesa më e madhe vërehet në programet edukative, kulturore dhe dokumentare (12.8 për qind), e ndjekur nga kërkesat për më shumë përmbajtje argëtuese dhe kuize (6.3 për qind) dhe sportive (6.0 për qind). Përveç kësaj, qytetarët theksojnë nevojën për më shumë prodhim vendas (5.4 për qind) dhe gazetari objektive dhe cilësore (4.6 për qind)”, thonë nga ASHMA.

Sa i përket radios, 72.3 për qind e dëgjuesve e përdorin kryesisht për të dëgjuar muzikë, duke konfirmuar rolin e saj si një “medium shoqërues” që krijon atmosferë. Ndërkohë, 28.5 për qind e qytetarëve ndjekin ndikuesit në rrjetet sociale, dhe kjo audiencë është mjaft aktive – rreth 80 për qind e tyre i ndjekin rregullisht gjatë javës.

“Besimi tek ndikuesit është kryesisht i moderuar ose i ulët, me vetëm 19 për qind të qytetarëve që deklarojnë se u besojnë atyre ‘plotësisht’ ose ‘kryesisht’. Grupi më i madh (38.3 për qind) ka një qëndrim neutral (‘besim të moderuar’), ndërsa një pjesë e konsiderueshme prej 39.2 për qind janë skeptikë dhe tregojnë pak ose aspak besim në rekomandimet dhe informacionin e këtyre individëve. Kjo tregon se ndikuesit në Maqedoni perceptohen më shumë si burim argëtimi sesa si autoritete në formimin e opinionit”, thuhet në dokument.

Përdoruesit e rrjeteve sociale janë gjithashtu të vetëdijshëm për reklamat me pagesë. 43.3 për qind e të anketuarve ndonjëherë e dallojnë kur një influencues promovon një produkt ose shërbim kundrejt pagesës, ndërsa 42.4 për qind e dallojnë atë gjithmonë ose pothuajse gjithmonë.

“Për audiencën digjitale, etika në reklamim është me rëndësi të madhe. Një total prej 46.5 për qind e të anketuarve besojnë se është e rëndësishme ose shumë e rëndësishme që një influencues të tregojë qartë se kur paguhet përmbajtja (nëpërmjet një hashtagu ose etikete të përshtatshme). Edhe pse një pjesë e konsiderueshme (29.8 për qind) mbetet neutrale, përqindja e ulët e atyre që nuk interesohen fare për transparencën (10.5 për qind) u dërgon një mesazh të qartë krijuesve se reklamat e fshehura mund të ndikojnë negativisht në marrëdhënien me audiencën”, theksojnë studiuesit.

Në të njëjtën kohë, sipas ASHMA, shumica e qytetarëve mendojnë se hapësira digjitale duhet të ketë rregulla dhe përgjegjësi të qarta për përmbajtjen e publikuar. Megjithatë, edhe pse gjuha e urrejtjes njihet lehtësisht, reagimet ndaj saj janë shumë të rralla. “Plot 67.6 për qind e qytetarëve që u ekspozuan ndaj agresionit ose komunikimit ofendues nuk ndërmorën asnjë veprim, ndërsa 28.9 për qind menduan të reagonin, por u tërhoqën. Vetëm 3.5 për qind e të anketuarve ndërmorën një hap aktiv kundër fenomeneve të tilla”, thuhet në dokument. /Koha/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *