
Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit në Kosovë kanë vijuar të rriten, duke shtuar presionin mbi buxhetin e familjeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në muajin shkurt 2026 ka arritur në 6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas statistikave, vetëm në krahasim me muajin janar të këtij viti, çmimet janë rritur mesatarisht me 0.6%, duke reflektuar një trend të vazhdueshëm të shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve të përditshme.
Rritje e ndjeshme në transport dhe shërbime
Rritjet më të mëdha janë regjistruar në disa kategori të transportit dhe shërbimeve. Shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit janë rritur me 42.5%, ndërsa biletat e fluturimeve janë shtrenjtuar me 39%.
Po ashtu, furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin janë rritur me 33.4%, duke ndikuar drejtpërdrejt në kostot mujore të familjeve.
Shtrenjtim edhe te ushqimet bazë
Rritje të ndjeshme janë shënuar edhe në çmimet e produkteve ushqimore.
Mishi është rritur me 14.7%
Pemët me 16.4%
Perimet me 6.4%
Po ashtu janë shtrenjtuar edhe kafeja, çaji dhe kakao me 9.3%, si dhe sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat me 7.4%.
Në të njëjtën kohë, edhe produkte të tjera të përdorimit të përditshëm kanë shënuar rritje:
Qumështi, djathi dhe vezët me 5.6%
Buka dhe drithërat me 5.2%
Ndërsa shërbimet hoteliere janë rritur me 9.5%, shërbimet ambulatore me 9.6% dhe shërbimet e kujdesit personal me 6.6%.
Rritje edhe te kostot e jetesës
Shtrenjtimi është ndjerë edhe në kostot që lidhen me jetën e përditshme në shtëpi. Çmimet e drurit të zjarrit dhe peletit janë rritur me 16.8%, ndërsa mirëmbajtja dhe riparimi i mjeteve të transportit personal është shtrenjtuar me 15.1%.
Megjithatë, në disa kategori është vërejtur edhe rënie. Karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal kanë rënë me 7.6% krahasuar me vitin e kaluar.
Edhe në nivel mujor janë regjistruar disa ulje, si:
biletat e fluturimeve me 18.2%,
energjia elektrike me 4.3%,
qumështi, djathi dhe vezët me 2.8%.
Megjithatë, sipas ekspertëve, trendi i përgjithshëm mbetet shqetësues, pasi shumica e produkteve bazë dhe shërbimeve po vazhdojnë të shtrenjtohen, duke rritur presionin financiar mbi familjet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.








