
Një këlysh majmuni në Japoni ka prekur zemrat e mijëra njerëzve në mbarë botën, pasi videot ku ai shihet i refuzuar nga e ëma dhe i ngacmuar nga majmunë të tjerë u bënë virale. Punch, një makak japonez, lindi në korrik në Ichikawa Zoo dhe u braktis nga nëna e tij pak pas lindjes.
Pa kujdesin dhe mbrojtjen e nënës, Punch ka kërkuar ngushëllim tek një lodër prej pelushi në formë orangutani, të cilën kujdestarët ia dhanë pasi provuan edhe alternativa të tjera.
Në pamjet e publikuara, ai shihet duke u tërhequr dhe ndjekur nga majmunë më të rritur brenda kafazit, ndërsa në disa raste përpiqet të fshihet duke përqafuar fort lodrën e tij.
Sipas primatologes Alison Behie nga Australian National University, braktisja e të vegjëlve është e rrallë, por mund të ndodhë për shkak të faktorëve si mosha, shëndeti apo mungesa e përvojës.
Në rastin e Punch, nëna ishte për herë të parë nënë dhe lindja ndodhi gjatë një vale të nxehti, çka mund të ketë rritur stresin dhe të ketë ndikuar në vendimin për ta braktisur.








