Categories VENDI

Kumanova radhitet ndër qytetet ku interesimi për vaksinimin e fëmijëve është në rënie të vazhdueshme

Kumanova vazhdon të renditet ndër qytetet ku vërehet rënie e vazhdueshme e interesimit për vaksinimin e fëmijëve. Sipas profesionistëve shëndetësorë, kjo situatë lidhet kryesisht me ndikimin e dezinformatave që qarkullojnë rreth efekteve të supozuara anësore të vaksinave.

Nga Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë bëjnë të ditur se, pavarësisht përpjekjeve për të rritur vetëdijen dhe për të informuar prindërit mbi rëndësinë e imunizimit, përqindja e vaksinimit mbetet e ulët. Shifra më e dobët është ajo për vaksinën kundër fruthit, e cila arrin vetëm rreth 40 për qind.

Mjekët theksojnë se hezitimi i prindërve shpesh buron nga mungesa e informacionit të saktë. Sipas statistikave, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve nën moshën pesë vjeç nuk janë të imunizuar. “Kjo periudhë përkon me kohën kur fëmijët fillojnë të flasin dhe të hedhin hapat e parë. Disa prindër kanë frikë se vaksina mund të ndikojë në zhvillimin e tyre, duke menduar se fëmija mund të ndalojë së foluri apo së ecuri. Ka edhe raste kur kalendari i imunizimit nuk ndiqet fare, si rezultat i keqinformimit”, deklaroi Dr. Valentina Bogoevska Dimitrievska nga IShP Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë.

Megjithëse ekzistojnë dispozita ligjore për vaksinimin e detyrueshëm, në kopshte dhe shkolla ende hasen fëmijë të pavaksinuar. Autoritetet përkatëse njoftojnë se listat e prindërve që refuzojnë plotësisht vaksinimin u dërgohen institucioneve kompetente, përkatësisht Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, për procedura të mëtejshme./alsat.mk/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *