
Një 25-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë pasditen e së premtes në Santa Vittoria d’Alba, në provincën e Cuneo, Itali. Trupi u zbulua në një parcelë toke buzë rrugës Chivola, duke tronditur komunitetin lokal.
Sipas mediave italiane, i riu u gjet pranë një automjeti tip “Lancia Ypsilon” me ngjyrë të zezë, që dyshohet se ishte në pronësi të tij. Ka qenë një drejtues mjeti që kalonte rastësisht në zonë ai që ka vënë re trupin dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar mbi shkaqet e vdekjes, por dyshimet e para flasin për një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë. Arma nuk është gjetur në vendngjarje, çka ka shtuar dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje.
Një tjetër element që po hetohet është fakti se trupi është gjetur i mbuluar pjesërisht me rërë, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e ngjarjes. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e rastit./VP







