
Maqedonia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në fillim të vitit 2027 të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por pa të drejtë vote. Për këtë skenar të një lloj gjysmë-anëtarësimi foli kryeministri Hristijan Mickoski në në Kanal 5, për të cilin thotë se është pjesë e skenarit të paqes për Ukrainën dhe eurointegrimet.
“Ekziston një ide që po dëgjohet gjithnjë e më fort edhe në Bruksel dhe përreth, e cila përfshin planin e paqes për Ukrainën. Skenari i parë është që Ukraina, së bashku me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë, të bëhen vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe kjo të ndodhë në fillim të vitit 2027, të ulen në tryezë, të valojë flamuri maqedonas në Bruksel, por pa të drejtë vote”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
E gjithë kjo do të nënkuptonte përmbushje graduale të obligimeve për mbylljen e kapitujve dhe, ashtu siç mbyllen, gradualisht të integrohen, derisa sistemi të harmonizohet plotësisht me kërkesat e Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, obligative janë edhe dy kushte: politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, si dhe sundimi i ligjit. Megjithatë, edhe me këtë metodë, për Maqedoninë mbetet obligim ndryshimi i Kushtetutës. Kjo është theksuar edhe në raportin e Tomas Vajcit, raportuesit për progresin e Maqedonisë, i cili duhet të prezantohet në Parlamentin Evropian.
“Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, progresi në agjendën e reformave të lidhura me BE-në në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reformat gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit mbeti i pamjaftueshëm. Ekziston edhe nevojë urgjente për vullnet politik më të madh për tejkalimin e bllokadës aktuale rreth miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Në kohë ndryshimesh të thella gjeopolitike, Evropa duhet të mbetet e bashkuar”, theksoi Tomas Vajci – Eurodeputet.
Advertisement

Nga LSDM thonë se raporti i Vajcit është konfirmim se pushteti po e shtyn Maqedoninë drejt izolimit.
“Procesi i anëtarësimit është ndalur”, dhe kjo nuk është vlerësim i opozitës, por qëndrim zyrtar i theksuar në këtë raport. Në dokument thuhet qartë se nuk ka progres në sundimin e ligjit, reformat gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Mesazhi nga Brukseli është i qartë: zgjerimi mund të përshpejtohet, por vetëm nëse ka reforma reale dhe sundim të ligjit”, pohoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.
Për idenë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së pa të drejtë vote, po flitet prej një kohe. Për këtë është diskutuar edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih, por deri tani asgjë zyrtare nuk është vënë në tryezë. /TV21/








