Categories VENDI

KONTROLL BRUTAL MBI ARSIMIN! | Ligji i ri trazon universitetet

“Jashtëzakonisht i keq”. Kështu e ka vlerësuar LSDM, Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase, Venko Filipçe, tha se ndryshimet e propozuara, në vend që të përmirësojnë cilësinë e arsimit, forcojnë kontrollin mbi universitetet, krijojnë diskriminim, cenojnë autonominë universitare, rrisin rrezikun e partizimit dhe prodhojnë padrejtësi sociale. Sipas Filipçes, VMRO-DPMNE përmes këtij ligji synon kontroll të plotë mbi arsimin e lartë, ashtu si në çdo sektor tjetër të shoqërisë.

“Me këto ndryshime të propozuara në mënyrë brutale centralizohet fuqia te ministri, përkatësisht te qeveria dhe në këtë mënyrë shkatërrohet autonomia e universiteteve. Përmes neneve 128, 129, 201 ministri bëhet figura më e fuqishme në arsimin e lartë, me mundësi për të anuluar vendime të organeve të universitetit. Në vend të koordinatorit, ministri bëhet urdhërdhënës dhe në një mënyrë sundimtar i pakontestuar”, theksoi Filiipçe në një konferencë për media. Ai theksoi se universitetet nuk guxojnë të jenë dorë e zgjatur e partive politike. Filipçe më tej tha se ndryshimet ligjore janë një goditje e fortë për kuadrin e ri, ndërsa privilegj për ata në pension.

“Krijohet një sistem i padrejtë që i degradon të rinjtë, ndërsa i mundëson vazhdimin e ndikimit të profesorëve në pension. Përderisa kuadrot e rinj dhe asistentët përballen me restrikcione dhe pasiguri, profesor të pensionuar fitojnë të drejtën për të ligjëruar dhe për të shfrytëzuar resurse institucionale dhe kjo krijon një disbalanc serioz të gjeneratave. E bllokon procesin natyral të riformimit arsimor”,. theksoi Filipçe. Ai më tej tha se po ofrohet ligj ku shkenca bëhet luks vetëm për të pasurit, sepse po vendosen kriteriume të forta për publikime me impakt, pa siguruar shteti financim stabil të shkencës, fonde për publikim, infrastrukturë hulumtuese dhe mbështetje institucionale.

Në lidhje me këto propozim ndryshime ligjore kanë reaguar edhe një pjesë e profesorëve dhe fushës së ekspertëve. Ish-rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri vlerësoi se Propozim-ligji i ri për arsimin e lartë krijon, pabarazi të reja institucionale dhe trajtim të pabarabartë ndërmjet universiteteve publike, duke prodhuar efekte diskriminuese si në nivel institucional, ashtu edhe në nivel individual të kuadrit akademik. Siç sqaroi profesoi Zeqiri, dispozitat e tij, në vend që të adresojnë dallimet objektive midis universiteteve të themeluara në periudha dhe kushte të ndryshme zhvillimi, vendosin standarde formalisht neutrale, por që në praktikë favorizojnë universitetet me strukturë tashmë të konsoliduar akademike.

“Në këtë kontekst, Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ – Shkup dhe Universiteti ‘Shën Kliment Ohridski’ – Manastir, me numër dominues të profesorëve të rregullt të avancuar, vendosen në një pozitë dukshëm më të favorshme krahasuar me universitetet më të reja. Universitetet e reja dhe private, për shkak të historikut të shkurtër dhe varësisë nga kuadri i ri akademik, nuk kanë pasur mundësi reale për të ndërtuar një strukturë të balancuar akademike, duke i lënë ato në disavantazh të konsiderueshëm”, është shprehur Zeqiri, i cili vlerëson se në vend që të fuqizojë cilësinë dhe konkurrueshmërinë e arsimit të lartë, rrezikon të kufizojë mundësitë e avancimit për universitetet më të reja.

“Universiteti i Tetovës ka 151 profesorë të rregullt (36.8%), 146 inordinarë (35.6%) dhe 135 docentë (32.9%), një raport thuajse të barabartë që reflekton sfidat e mëdha për konsolidim akademik dhe përvojë të mjaftueshme për të përballuar kriteret e reja ligjore. Universiteti “Nënë Tereza” ka 16 profesorë të rregullt (22.2%), 32 inordinarë (44.4%) dhe 22 docentë (33.3%). Kjo strukturë tregon një mungesë të stafit të konsoliduar dhe përvojës së gjatë akademike, duke e vendosur universitetin në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme për të përmbushur kërkesat e ligjit për publikime dhe avancim akademik”, ka thënë Zeqiri

Blendi Hodai, themelues i Forumit për Ndryshime në Arsim vlerëson se ky ligj ka një sërë lëshimesh. Ai madje kritikoi edhe heqjen e dispozitës kundër nepotizmit, duke thënë se me këtë hapet rruga për familjarizim të universiteteve.

“Te propozim-ligji për arsimin e lartë shihet qartë se Qeverisë dhe një pjese të konklavës së profesorëve të përjetshëm nuk u intereson cilësia e universiteteve, përndryshe nuk do ta hiqnin dispozitën kundër nepotizmit. Me këtë ligj të ri hapet rruga për familjarizimin e fakulteteve, ku më e rëndësishme bëhet mbiemri sesa aftësia dhe merita. Psikologjia sociale e shpjegon thjeshtë, njerëzit shpesh e mbrojnë sistemin nga i cili kanë përfituar dhe e konsiderojnë atë ‘normal’ kësisoj edhe Kryeministri Mickoski si produkt i nepotizmit normalisht që do të promovojë diçka të tillë”, theksoi Hodai.

Përndryshe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar vizitat në universitetet në vend, në kuadër të debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë. Siç paralajmëroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, MASH do të zhvillojë takim me të gjithë profesorët që do të dëshirojnë të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutohen nenet kontestuese.

“Debati publik nuk ka mbaruar ende, ende presim vërejtje. I marrim në ENER, i marrim edhe përmes emailit, por gjithashtu presim që universitetet zyrtarisht, në çfarëdo mënyre, të paraqesin vërejtjet e tyre të integruara, sepse pjesa nuk përsëritet. Çdo gjë që e konsiderojmë të arsyeshme do të pranohet. Çdo gjë që e konsiderojmë se mund të paraqesë problem do të diskutohet. Kjo do të thotë një takim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me të gjithë profesorët që duan të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutojmë nenet e kontestueshme, dhe shoh se në pjesën më të madhe nuk ka vërejtje. Të kontestueshme mbeten disa nene për të cilat duhet të biem dakord dhe të diskutojmë”, tha Janevska.

Janevska theksoi se debati publik për Ligjin për Arsimin e Lartë ende nuk ka përfunduar dhe se Ministria pret vërejtje zyrtare nga universitetet. “Çdo gjë që e konsiderojmë të arsyeshme do të pranohet. Çdo gjë që vlerësojmë se mund të paraqesë problem, do të diskutohet”, tha Janevska. Ajo njoftoi se gjatë kësaj jave, me marrëveshje me universitetet, Ministria do t’i vizitojë ato për zhvillimin e debatit publik. /Koha/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *